TIRANË, 01 prill 2013– Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, është pritur në një takim nga Kryeministri i Republikës Arabe të Egjiptit, Hisham Qandil. 

Siç bën të ditur zyra për shtyp e ministrisë së Jashtme, të dy bashkëbiseduesit në takim vunë në dukje lidhjet historike dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes dy popujve, duke i konsideruar marrëdhëniet politike mes dy qeverive shumë të mira. Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën ekonomike, tregtare, arsim, kulturë e shkencë, ka qenë një temë tjetër e disktuar mes tyre. 

Lidhur me këtë Panariti theksoi se “qeveria shqiptare inkurajon investimet egjiptiane në Shqipëri si në fushën e energjetikës, turizmit, bujqësisë dhe transportit”. Me këtë rast, ai kërkoi vlerësimin e mundësisë për vendosjen e një linje direkte fluturimi Tiranë-Kajro. 

Gjatë takimit kryediplomati shqiptar iu referua zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht dialogut Kosovë – Serbi, ku shprehu besimin se të dy palët do të arrijnë së shpejti një marrëveshje mes tyre, si dhe falenderoi kryeministrin për mbështetjen që Egjipti i ka dhënë Kosovës në anëtarësimin në Bankën Botërore, FMN dhe BERZH. 

Me këtë rast, ai shprehu dëshirën për formalizimin e njohjes së Shtetit të Kosovës nga Egjipti. 

Nga ana e tij, Kryeministri Qandil theksoi se qeveria egjiptiane është duke e shqyrtuar me seriozitet njohjen e shtetit të Kosovës duke e konsideruar këtë si një proces gradual. 

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Republikën Arabe të Egjiptit, ministri i Jashtëm u takua edhe me homologun e tij egjiptian Mohamed Kamel Amr, ku të dy ministrat vlerësuan nivelin e shumë të mirë të marrëdhënieve politike mes dy vendeve. 

Në vijim të bashkëbisedimit Panariti i paraqiti homologut egjiptian kërkesën për formalizimin e njohjes së Shtetit të Kosovës, duke vlerësuar njëkohësisht mbështetjen e deritanishme që Egjipti i ka dhënë Kosovës. Gjithashtu, gjatë bisedës u trajtua situata në Lindjen e Mesme dhe posaçërisht në Siri. Në përfundim, të dy ministrat nënshkruan programin e bashkëpunimit kulturor, teknik dhe shkencor.