TIRANË, 11 mars 2013– Ministria Edmond Panariti siguroi sot se Ministria e Jashtme do të garantojë funksionimin normat të ambasadave shqiptare të akredituara në botë. 

Pas denoncimit nga ambasadori Gilbert Galanxhi se Ambasada e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhet në krizë mbijetese, praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të plotë për të siguruar jetesën e përditshme të diplomatëve e jo më funksionet diplomatike, Panariti u shpreh se problemet në buxhet janë bërë të ditura dhe presin zgjidhje institucionale. 

“Më lejoni t’ju garantoj se shumë vende po mbyllin përfaqësitë diplomatike për shkak edhe të krizës. Me lejoni t’ju garantoj se ministria do garantojë funksionimin normal të ambasadave natyrisht duke pasur më përparësi qendrat kryesore si SHBA dhe Bruksel. Nuk ka nevojë për panik. Shqetësimet për probleme në buxhet i kam bërë të ditura dhe kam pasur mbështetjen e dy kaheve politike. Problem i kërkon zgjidhje ndërinstitucionale, problemi është transparent. Jemi të hapur dhe nuk kemi gjë për të fshehur”, siguroi Panariti. 

Mediat pak ditë më parë publikuan lajmin se në një letër që mban firmën e ambasadorit Gilbert Galanxhi, drejtuar në datën 3 mars 2013, Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Gazmend Turdiu, paralelisht për dijeni edhe kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, titullari zbulon se ambasada është praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të sigurojë as jetesën e përditshme të diplomatëve me paratë që i jep Qeveria e jo më funksionet diplomatike.