Panariti “qan” për frutat shqiptare, por importon grurë rus!

·        Si e “drodhi” kreu i dikasterit “të gjelbër” duke pranuar ato që ka shkruar “Dyrrah”-u, ndonëse dy javë më parë i përgënjeshtroi me anë të zëvendësit të tij, teksa u paralajmërua “trashja” e muhabetit

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 4 dhjetor 2014 –  Në një konferencë shtypi, një ditë pas njoftimit të Federatës Ruse se kjo e fundit do të vendoste embargo ndaj fruta-perimeve shqiptare, kreu i dikasterit të “gjelbër” z. Edmond Panariti i konsideroi sanksionet euroaziatike si veprim të pajustifikuar, por nuk foli për thyerjen që i bëjnë grosistët shqiptarë të grurit embargos së BE-së, embargo së cilës i është bashkuar dhe Tirana.

Z. KARPUSHIN

Më 4 dhjetor 2014, në një konferencë shtypi, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti i cilësoi të padrejta sanksionet e vendosura nga Rusia për fruta-perimet shqiptare.

Z. Panariti tha se ishte pala shqiptare që e evidentoi këtë problem dhe që komunikoi me ambasadorin [e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë] të Federatës Ruse [në Tiranë, Aleksandër Karpushin].

Madje, në një debat publik me Bjellorusinë, më 29 nëntor 2014, Shërbimi federal rus i mbikëqyrjes veterinare dhe fitosanitare (Rosselkhoznadzor) përmendi se “sipas informacionit të ambasadorit të Rusisë në Shqipëri A. Karpushin dërguar Rosselkhoznadzor-it, gjë që shkaktoi alarm te ky Shërbim, doli në pah ekzistenca e një shtypshkronje ilegale në Çeki, që shtypte formularë falsë të certifikatave shqiptare fitosanitare” dhe se “fitosanitarët shqiptarë paraqitën në Rosselhoznadzor 21 certifikata fitosanitare, ku 20 prej tyre rezultuan të falsifikuara”.

KONFIRMOI “DYRRAH”-UN

Z. Panariti pranoi, më 4 dhjetor 2014, atë që shkruante “Dyrrah”-u më 3 dhjetor 2014, duke deklaruar:

“Kemi qenë ne që në bashkëpunim me autoritetet ruse kemi evidentuar këtë problem. Ishte një falsifikim që ndodhte jashtë territorit të Shqipërisë. Në evidentuam që në tregun rus futej 4 herë më shumë se sa prodhojmë ne. Kjo sasi e shtuar e ka origjinën gjetkë, është rezultat i një falsifikimi nga një vend i tretë. I vendosnin etiketën shqiptare dhe e fusnin në tregun rus. Edhe prodhuesit shqiptarë janë dëmtuar nga kjo skemë falsifikimi”.

 Po vazhdojmë kontaktet, dhe do zgjidhim këtë situatë. Nuk është fenomen shqiptar. Është përgjegjësi e vendeve të treta, kjo është një vepër kriminale dhe firmat shqiptare që janë të penalizuara nga kjo masë po hapin procese gjyqësore.

Nga monitorimet doli se, prodhimet shqiptare ishin me certifikatë shqiptare të falsifikuara, që e kishin origjinën gjetkë. Ishin rezultatet e një falsifikimi që ndodhet në një vend të tretë, i cili vendoste etiketat shqiptare në prodhimet e tyre. Vendimi i palës ruse është i pajustifikuar, pasi nuk ekziston mosrespektim i rregullave nga ana jonë. Por do të vazhdojmë bisedimet, duke dërguar misionin tonë të diskutojë me Ministrinë e Bujqësisë ruse, për të sqaruar dhe për të zhbllokuar situatën, që penalizon Shqipërinë në mënyrë të padrejtë.

Rusia i ka mbyllur importin me Malin e Zi, shumë shpejt mund të marrin masa dhe me Maqedoninë , Zvicrën, për kontrabandimin e produkteve të BE-së me të vendeve të treta. Shqipëria nuk ka asnjë element të abuzimivizmit të produkteve të freskëta në Rusi. Kjo është e vërtetueshme. Nuk gjeneron nga Shqipëria, ne duam të mbajmë marrëdhënie tregtare me Rusinë. Për këtë bëmë një hap, ndryshuam tipologjinë e certifikatës fito-sanitare. Ngjarja ka ndodhur në vendet e treta, është përgjegjësi e tyre të monitorojnë shtypshkronjat falsifikuese

“DRIDHE, LIKE!”

Shtrohet pyetja, atëherë pse dreqin z. Panariti dërgoi më 15 nëntor 2014 në TV Scan zëvendësin e tij z. Alban Zusi?

Lidhur me njoftimin e “Dyrrah”-ut se “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë (MBZHRAU) ka sfiduar në tre raste Rusinë mbi informacionin e kërkuar për kulturat bujqësore dhe sipërfaqet e mbjella, pas dyshimeve se vendi ballkanik shërben si ri-eksportues frutash të BE-së, që janë nën embargo nga Kremlini dhe se certifikatat fitosanitare, të lëshuara nga organet përgjegjëse në pikat kufitare, kanë rezultuar të falsifikuara”, zëvendësministri i MBZHRAU-t Alban Zusi deklaroi: “Është e pamundur që të arrihet kjo gjë, pasi Rusia ka rregulla rigoroze për produktet e importuara dhe se ato janë të gjitha të shoqëruara me certifikatën e origjinës. Argumenti i katërfishimit të eksporteve nuk është i fortë, pasi pritej një rritje më e madhe në kohën kur është vendosur embargoja ndaj produkteve evropiane. Nuk ka asnjë kërkesë të depozituar në Ministrinë e Bujqësisë për informacion mbi sasinë e prodhimeve”.

Me sa duket, “trashja” e muhabetit, sikurse parashikoi “Dyrrah”-u, më 15 nëntor 2014, detyroi një goxha ministër ta “dredhë” si Likja i skeçit të famshëm durrsak.

HESHTJA

Por ajo që është shqetësuese në këtë rast ka të bëjë me faktin se, sipas Brukselit, Shqipëria u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë dhe ngjarjeve në Donjeck, (në këtë të fundit ka lindur 65 vjet më parë ambasadori i ri rus s. Aleksandër Karpushin!). Por Shqipëria po lejon importimin e mbi 200 mijë tonë grurë nga Rusia, që transportohet me anije nga deti Azov dhe Deti i Zi drejt portit të Durrësit.

Z. Panariti nuk u tha gazetarëve (të cilët, fatkeqësisht, shfaqin padituri të skajshme në gjeopolitikë) pse nuk i përgjigjet Shqipëria me të njëjtën monedhë Moskës për mallrat ruse. Jo vetëm kaq, ka një përulje deri në temena të politikanëve të LSI-së që duan me çdo kusht ta mbajnë mirë me Rusinë, sikurse konfirmoi z. Panariti.

Madje, më 24 nëntor 2014, në një takim me ambasadorin rus z. Aleksandër Karpushin, Ministrja e LISI-së e Integrimit Evropian, znj. Klajdë Gjosha, nënvizoi se asnjë pikëpamje e ndryshme, nuk mund të pengojë marrëdhëniet në fushën ekonomike, të cilat duhet të bazohen mbi parimin e të mirës së përbashkët të dy vendeve.

NËN KUJDESIN E TATARSTANIT

I kujtojmë znj. Gjosha se Kremlini ia ka lënë në kujdestari Shqipërinë Republikës së Tatarstanit (subjekt i Federatës Ruse!). Kështu, rreth 1 muaj para dorëzimit të letrave kredenciale Presidentit shqiptar Zz, Bujar Nishan, më 6 gusht 2014, një nga 7 zëvendëskryeministrat dhe njëkohësisht përfaqësues fuqiplotë i Republikës së Tatarstanit në Rusi, z. Ravil Ahmetshin [në vitet 2006-2010 ka qenë zëvendësdrejtor i parë i qendrës së përgjithshme informative-analitike të Ministrisë së Brendshme të Rusisë] u takua në selinë e ambasadës së Tatarstanit në Moskë me ambasadorin e ri të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Rusisë në Shqipëri z. Aleksandër Romanoviç Karpushin.

Sipas zyrës së shtypit të kësaj ambasade, gjatë takimit u diskutuan çështje aktuale të tregtisë dhe të zhvillimit ekonomik, turizmit dhe bashkëpunimit shkencor dhe teknik midis Republikës së Tatarstanit dhe Republikës së Shqipërisë.

Duke pasur parasysh karakteristikat historike dhe kulturore të të dy rajoneve, se 60-70 për qind e popullsisë në Shqipëri praktikon islamin, paraqet interes zhvillimi i bashkëpunimit në turizëm. Në veçanti, për turistët shqiptarë mund të jenë me interes Kremlini i Kazanit dhe muzeu-rezervat historiko-arkitektonik bullgar, objekte të përfshira në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Sipas z. A. Karpushin, për banorët e Tatarstanit mund të jetë veçanërisht tërheqës plazhi i Durrësit.

Zhvillim mund të marrin disa drejtime bashkëpunimi si shkëmbimi i teknologjive dhe specialistëve në fushën e zbulimit dhe nxjerrjes së naftës, si dhe programe të përbashkëta arsimore nëpërmjet Universitetit Kombëtar Kërkimor Teknologjik Kombëtar të Kazan-it (KNITU).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/