TIRANE – Problemi i toponimeve në pasaportat e fëmijëve shqiptarë, që kanë lindur në shtetin grek, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në një takim të zhvilluar sot me ambasadorin grek në Tiranë, Leonidas C. Rokanas, ministri Edmond Panariti theksoi nevojën që çështja e toponimeve të zgjidhet sa më shpejt.
Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, në takim ministri Panariti theksoi se qeveria Shqiptare ka paraqitur tashmë një propozim për zgjidhjen e kësaj çështjeje, bazuar në praktikat ndërkombëtare, dhe mbetet e hapur për dialog në mënyrë që ky problem të adresohet sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare.
Dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të intensifikohen negociatat për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes takimeve mes grupeve të punës të ngritura në vendet respektive.
Gjithashtu, ministri Panariti kërkoi që të publikohet një informacion zyrtar rreth interpretimit të Kodit Shengen nga autoritetet kufitare greke, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë një udhëzim të qartë për përllogaritjen e afateve të hyrje-daljeve në shtetin grek, duke shmangur kështu penalizimin e tyre në pikat e kalimit kufitar.
Ministri Panariti dhe ambasadori Rokanas shprehën vullnetin e ndërsjellë për të zgjidhur pa vonesa çështjet teknike që janë në interes të qytetarëve.
Një ditë më parë 14 gra e fëmijë u kthyen në atdhe pasi në pasaportat e fëmijëve të tyre të lindur në shtetin helen, “Greqia” shkruhej shqip e jo anglisht. Nënat dhe të vegjlit e tyre, u nisën nga Tirana ditën e djeshme, më 30 janar, në orën 06.00, me një linjë ajrore e me të mbërritur në të vetmin aeroport të Athinës patën përballjen me policinë greke, e cila nuk lejoi asnjë fëmijë të lindur në Greqi të futej në territorin grek, madje në pasaportat e tyre u shënua nga një kryq në vulën e daljes nga Shqipëria.
Sipas shqiptarëve, policia greke u ka shpjeguar se, pas mosarritjes së marrëveshjes me palën shqiptare, urdhri për të mos njohur këto pasaporta mbetet prapë në fuqi.
Pasaporta biometrike e lëshuar nga shteti shqiptar i ka të dhënat në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Por problemi qëndron se, nëse shtetësinë e mbajtësit të pasaportës e ka në dy gjuhë (Shqiptare/Albanian), vendin e lindjes “vendlindja/place of birth”, e kanë vetëm në shqip. Nëse vendlindja është në një qytet apo fshat të Shqipërisë kjo nuk prish punë, por kur kjo është në një vend të huaj sjell probleme, pasi shkrimi dhe shqiptimi i tyre në gjuhën shqipe është ndryshe.
Për emigrantët shqiptarë që kanë lindur në Greqi, vendlindjet e tyre në pasaportat e lëshuara nga Republika e Shqipërisë, shkruhen vetëm në shqip dhe jo në anglisht, duke bërë që kjo të kthehet në telashin më të fundit mes tyre dhe shtetit fqinj.