TIRANE– Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, i ka përcjelle një mesazh urimi zotit John Kerry me rastin e emërimit të tij në postin e Sekretarit amerikan të Shtetit.

“Më lejoni,- thekson ndër të tjera ministri Panariti në mesazhin e publikuar në faqen e dikasterit që ai drejton,- t'ju siguroj për vendosmërinë dhe vullnetin e qeverisë shqiptare dhe timin personal, për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në të mirë të paqes, stabilitetit dhe përparimit në botë. Po ashtu, gjej rastin të përmend vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë për të vazhduar kontributin në luftën globale kundër terrorizmit”.

Gjithashtu, në mesazh shprehet bindja se, nën drejtimin e z.Kerry, diplomacia amerikane do të avancojë agjendën e saj në drejtim përpjekjeve të parreshtura për respektimin dhe mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe zhvillimit kudo në botë.