21 nëntor 2013- Skema e subvencionimit të fermerëve do të pësojë ndryshime, që do të shoqërohen me taksim më të lartë për tokat e lëna djerr. Në kuadër të projektit të ri do të përshpejtohet edhe shpërndarja e certifikatave të pronësisë. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka hartuar metodologjinë me të cilën do të operojë skema e re e rimbursimit të fermerëve.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, ministri Edmond Panariti ka bërë të ditura detajet e funksionimit të kësaj metodike. Sipas Panaritit, ndaj fermerëve që nuk e shfrytëzojnë tokën do të sanksionohet një taksë më e lartë. Kjo është një masë që do të ndërmerret për të nxitur zgjerimin e sipërfaqes së kultivuar.
Sipas Panaritit, aplikimi i taksës mbi tokën nuk është aspak një qëllim në
vetvete, por një mekanizëm detyrues për punimin dhe kultivimin
e saj. “Kjo do t’i japë fund gjendjes së tokave djerr, apo të mbajtjes atyre peng “kur t’i vijë koha” nga përfituesit e tyre, të cilët ndërkohë merren me aktivitete të tjera. Jo, kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Nëse nuk ke ndërmend ta punosh dhe mbjellësh tokën, atëherë përgatitu, nëse të leverdis, që të paguash
taksë më të lartë për të, në krahasim me atë që e punon dhe e kultivon. Përndryshe, do të jesh i detyruar t’ia shesësh atij, i cili e punon”- thote ai.
Ministri sqaron se qeveria do të mbështese financiarisht vetëm prodhimin bujqësor dhe atë blegtoral, që paraqet avantazhe të krahasuara dhe konkurruese në treg. “Për këtë ne jemi duke studiuar me shumë kujdes se cilat janë këto produkte bujqësore dhe blegtorale, që i krijojnë këto përparësi. Ne do të vëmë në lëvizje mekanizmin e pagesave, vetëm kur fermeri ta ketë prodhuar dhe dorëzuar produktin në pikat e grumbullimit apo të përpunimit. Aty do të bëhet edhe matja e sasisë së dorëzuar, si dhe klasifikimi i cilësisë së prodhimit. Kriter i pagesave ndaj fermerëve do të jetë jo vetëm sasia, por edhe cilësia e prodhimeve bujqësore e blegtorale. Sigurisht, për të njëjtën sasi prodhimi, por të cilësisë më të lartë do të paguhet më shumë. Autoritetet e Ushqimit të qarqeve janë ato që do të bëjnë vlerësimin e treguesve cilësorë dhe sasiorë të prodhimeve në pikat e grumbullimit dhe do të autorizojnë sinkron pagesat ndaj fermerëve”- thote Panariti.





