Pavarësisht muajve të vështirë të pandemisë, puna në spitalin e Durrësit nuk është ndalur për asnjë moment. Mes frikës prej koronavirusit dhe përkushtimit për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, sidomos gjatë periudhave kritike, mjekët e spitalit rajonal kanë zgjedhur të qëndrojnë në paravijë. DurrësLajm kontaktoi me dy prej tyre, doktorët e njohur Roland Katroshi dhe Ilir Doda. Në bisedë me ta kupton se pavarësisht kufizimeve që solli karantina dhe izolimi, kujdesi për pacientin ishte primar.
Mjeku urolog Roland Katroshi ka që në fillimet e pandemisë që ofron shërbim vullnetar në spitalin e Durrësit. Kjo se ka penguar aspak që gjatë pandemisë të bëjë pak a shumë të njëjtin numër kontrollesh që bëhen në spital në kohë normale.
“Kemi bërë një punë shumë të madhe në këtë spital. Gjatë muajve të pandemisë Covid-19 kemi kryer 405 vizita. Këtu nuk ka ndaluar puna për asnjë moment dhe në kulmin e pandemisë mjekët kanë qenë në krye të detyrës”,– thotë Katroshi.
Më shumë se asnjëherë tjetër, gjatë këtyre muajve të fundit, të gjithëve ne na është ngulitur në mendje fjala skaner. Përveç tamponit, skanimi i mushkërive ishte një tjetër metodë efikase për të zbuluar personat e prekur nga Covid-19. Për imazheristin e njohur Ilir Doda, gjatë muajve të pandemisë, ka pasur më pak vizita ambulatore, kryesisht vetëm urgjencat për koronavirusin.
Megjithëse ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e dyshuar se ishin prekur nga koronavirusi, Doda nuk ka ndalur për asnjë moment punën, as nuk është stepur.
“Në javët e para të shfaqjes së pandemisë, por edhe tani ne vazhdojmë të kryejmë ekzaminime të përditshme të pacientëve të dyshuar për Covid. Edhe sot që po flasim, rastet vazhdojnë ashtu siç vazhdojnë kontrollet tona”,- thotë Doda.
Për mjekun Doda, fakti që spitali rajonal i Durrësit ofron një gamë shumë të gjerë ekzaminimesh dhe kontrollesh në fushën e imazherisë dhe njëkohësisht stafi mjaft i kualifikuar ka bërë që pacientët të mos i drejtohen më kryeqytetit por të kërkojnë shërbim mjekësor në qytetin tonë.
Fakt që vlen për t’u përshëndetur në qytetin e Durrësit është se pavarësisht numrit të lartë të të prekurve nga Covid-19, vetëm një mjek ka rezultuar përgjatë këtyre 4 muajve pozitiv me koronavirusin. Megjithëse shumë pacientë të prekur janë drejtuar fillimisht në spitalin rajonal, kujdesi i treguar nga stafi mjekësor dhe ai infermieror ka bërë që deri tani Durrësi të ketë një bilanc mjaft pozitiv në këtë drejtim.
M.B.