Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin “shërbim prove”, për tre gjyqtarët të cilët akuzohen se kanë parë një ndeshje “El Classico” me paratë e një biznesmeni.

Apeli ka caktuar “shërbim prove” për gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno.

Më pëtpara, pas hetimit dhe gjykimit maratonë, Krimet e Rënda shpallën fajtorë gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno si dhe biznesmenin Namik Sadiku, i cili akuzohet se ka paguar udhëtimin e tyre në Madrid për të parë ndeshjen e futbollit mes Real Madrid-it dhe Barcelonës.

Gjyqtarët e cilësuan vendimin të pabazuar në prova dhe paralajmëruan apelim. Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadiku, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg.

Tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe sipas Prokurorisë, udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Burimi:Top Channel