Në Korenë e Veriut, shikimi i dramave tuaja të preferuara koreane mund të përfundojë në tragjedi. Sipas raporteve nga mediat koreano-jugore të lajmeve Chosun TV dhe Korea JoongAng Daily, rreth 30 nxënës të shkollës së mesme u qëlluan publikisht javën e kaluar pasi kanë parë drama koreano-jugore.

Shfaqjet thuhet se ishin ruajtur në USB-të që qarkullonin mbi kufi nga dezertorët e Koresë së Veriut. Business Insider nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur raportin.

Zyrtarët e Koresë së Jugut nuk komentuan drejtpërdrejt raportin, por sipas Korea JoongAng Daily, një zyrtar i paidentifikuar i Ministrisë së Unifikimit të Koresë së Jugut u tha gazetarëve se “dihet gjerësisht se autoritetet e Koresë së Veriut kontrollojnë rreptësisht dhe ndëshkojnë ashpër banorët bazuar në tre të ashtuquajturat ligjet ‘e liga’”.

Një nga këto është Akti Reaksionar i Ideologjisë dhe Refuzimit të Kulturës i Koresë së Veriut, i cili i ndalon individët të shpërndajnë filma ose materuiale që kanë origjinën në Korenë e Jugut, SHBA ose Japoni.

Është e paqartë nëse këto kufizime zbatohen për të huajt që vizitojnë vendin, si nxënësit rusë që përgatiten të ndjekin kampet verore në vend.

Greg Scarlatoiu, drejtori ekzekutiv i Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut, i tha BI se “në rrethanat e krijuara nga goditja e intensifikuar e informacionit nga bota e jashtme, e kryer fillimisht nën pretekstin e COVID, këto raporte janë padyshim të besueshëm”.

Ky nuk është rasti i parë që koreano-veriorët thuhet se vriten për lidhjen e tyre me përmbajtjet mediatike nga fqinji i tyre jugor. Sipas një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të vitit 2022, një burrë në provincën Kanguon u vra nga një skuadër pushkatimi, pasi njësia e tij e vëzhgimit të lagjes e pa atë duke shitur filma dixhitalë nga Koreja e Jugut.

Një raport i vitit 2024 mbi të drejtat e njeriut të Koresë së Veriut, i lëshuar nga Ministria e Unifikimit të Koresë së Jugut, pretendonte se telefonat në Korenë e Veriut kontrollohen rregullisht për “gjuhën e stilit të Koresë së Jugut” dhe se veshja e fustaneve të bardha të nusërisë dënohet si “reaksionare”.

Një video u publikua në fillim të këtij viti ku tregohen dy adoleshentë të dënuar me 12 vjet punë të rëndë për shikimin e një videoje K-pop. Pavarësisht rrëfimeve të dëshmitarëve okularë të përpiluara nga Amnesty International, qeveria e Koresë së Veriut ka mohuar që në vend të ketë ekzekutime publike.

Sipas autoriteteve të Koresë së Veriut, ekzekutimi i fundit ka ndodhur në vitin 1992. Koreja e Veriut është ende teknikisht në luftë me homologun e saj jugor, me konfliktin e tyre në vitet 1950 që përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

Një dezertues i tha Korea Herald se në vitin 2020, prindërit koreano-veriorë u detyruan të nënshkruanin një premtim duke deklaruar se do të siguronin që fëmijët e tyre të mos shikonin “përmbajtje të papastër në video” në shtëpi.

Kohët e fundit, ekspertët kanë spekuluar se personeli ushtarak i Koresë së Veriut mund të dërgohet për të ndihmuar përpjekjet ruse në Ukrainë, pas lidhjeve më të ngushta midis udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe presidentit rus Vladimir Putin. Përfaqësuesit nga Koreja e Veriut nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment./Business Insider/