OKB, 10 prill 2013 –Agjencia e famshme amerikane e lajmeve “Associated Press” i ka dhënë një shuplakë të fortë qeverisë së Tiranës në kulmin e fushatës elektorale, duke e cituar si vend që ka thyer embargon e armëve të vendosur nga OKB-ja ndaj Libisë.
Sipas Associated Press-it, armë libiane “janë përhapur në shpejtësi të tmerrshme” drejt territorit të ri në perëndim të Afrikës dhe Mesdheun lindor, duke përfshirë Sirinë dhe Rripin e Gazës, ku po nxisin konflikte dhe rrisin arsenalet e grupeve të armatosura dhe të terroristëve, tha një panel i OKB-së.
Në një raport para Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u shpërnda të martën, paneli tha se rastet e furnizimeve të paligjshme nga Libia duke shkelur embargon e armëve të OKB që janë provuar dhe po hetohen ende, implikojnë më shumë se 12 vende dhe përfshijnë armë të rënda dhe të lehta të tilla si sisteme portative kundërajrore, lëndë plasëse, mina dhe armë të lehta e municione.
Që nga kryengritja që përmbysi diktatorin Muamer Gadafi në vitin 2011, tha paneli, “dy vitet e fundit Libia po bëhet burim i rëndësishëm dhe atraktiv armatimesh në rajon”.
Paneli tha se civilë dhe milicë ashtu si më parë kontrollojnë shumicën e armëve në Libi, duke shtuar se “mungesa e një sistemi efektiv sigurie mbetet një nga pengesat kryesore për të siguruar bllokimin e materialeve luftarake dhe kontrollin e kufijve”.
“Në 12 muajt e fundit, përhapja e armëve nga Libia ka vazhduar me një ritëm shqetësues dhe janë shpërndarë në territor të ri: Afrikë Perëndimore, Levant dhe, ka gjasa, madje në Kepin e Afrikës”, tha paneli.
“Flukset e paligjshme nga vendi po ushqejnë konfliktet ekzistuese në Afrikë dhe në Levant dhe pasurojnë arsenalet e një sërë subjektesh jo-shtetërore, mes tyre grupe terroriste”.
Paneli prej pesë anëtarësh ekspertë ka bërë 28 vizita në 15 vende të Afrikës, Evropës dhe Lindjes së Mesme, përfshirë 10 vizita në Libi.
Raporti prej 94 faqesh detajon raste trafiku armësh që shkelin embargon e vënë pas vitit 2011 kur nisi kryengritja si edhe përpjekjet për të gjurmuar pasuritë financiare të individëve dhe kompanive të lidhura me Gadafin dhe regjimin e tij dhe që janë në listën e zezë të OKB-së.
Paneli tha se shqyrtoi gjithashtu provat e dërgimit të armëve dhe municioneve nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të mbështetur revolucionarët anti-Gadafi gjatë kryengritjes dhe mendon se të dy vendet shkelën embargon e armëve të OKB-së, pavarësisht mohimit të Katarit se po transferonte ushtarak luftarake.
Raporti përmendte një rast dërgimi municionesh në Libi që implikon Emiratet e Bashkuara Arabe, Armeninë, Shqipërinë dhe Ukrainën, një rast i veçantë që implikon Sudanin, dhe një avion pa pilot për opozitën libiane, që u dërgua nga një kompani kanadeze, për të cilën autoritetet kanadeze thonë se po hetohet.
Muajin e kaluar, Këshilli i Sigurimit lehtësoi sanksionet ndaj pajisjeve ushtarake jo-vdekjeprurese për qeverinë libiane, por paralajmëroi se vendi është i mbushur plot e përplot me armë të paligjshme.
Paneli tha se disponueshmëria e rritur e armëve libiane ka fuqizuar një shumëllojshmëri “aktorësh jo-shtetërorë” të angazhuar në konflikte kundër autoriteteve kombëtare, dhe shprehu shqetësim se grupet ekstremiste të armatosura, të cilët janë më të mirë-financuara, po forcojnë pozitat e tyre.
“Mungesa e stabilitetit politik dhe të sigurisë, mungesa e vazhdueshme e kontrollit mbi stoqet nga autoritetet kombëtare dhe vonesat në çarmatimin dhe grumbullimin e armeve inkurajojnë tregtinë e paligjshme dhe kanë gjeneruar mundësi për fitime të konsiderueshme për trafikantët”, tha paneli.
/ th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





