Angli, 31 mars 2014– Një ditë verbuese dhe një zhurmë drithëruese kur je mijëra metra lart në qiell do t’i fusnin panikun kujtdo. Këtë kanë përjetuar pasagjerët e një avioni të nisur nga Amsterdami, Hollandë e që do të ulej në aeroportin e Birmingamit në Angli.

Pamja e rrallë, kur tre rrufe kanë goditur njëkohësisht avionin në fjalë janë fiksuar nga një angleze që po ndiqte me kuriozitet stuhinë që kishte goditur rajonin në kohën, kur avioni po kryente udhëtimin e tij të zakonshëm. Pasagjerët në bordin e tij përjetuan momente frike dhe paniku, por të vërtetën e mësuan prej pilotit vetëm në momentin kur avioni preku tokën.

Pavarësisht faktit se u godit njëkohësisht nga tre rrufe, avioni fatmirësisht vazhdoi normalisht udhëtimin dhe u ul në orarin e përcaktuar në pistën e aeroportit të Birmingamit.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/