Një kullë gjigande 24-katëshe në perëndim të Londrës është përfshirë nga një zjarr masiv gjatë natës.
Më shumë se 200 zjarrfikës vazhdojnë të punojnë për shuarjen e flakëve në kullën Grenfell, në veri të Kensingtonit, ku mendohet se jetojnë qindra vetë.
Mediet raportojnë se një numër personash mungojnë në apel dhe druhet edhe për jetën e tyre. 20 ambulanca kanë qenë në vendngjarje dhe 30 vetë janë dërguar në spital, por natyra dhe niveli i lëndimeve të tyre nuk është qartësuar ende.
Kryebashkiaku i Londrës tha se ngjarja ishte shpallur incident i rëndë. Rreth orës 4 të mëngjesit, sipas orës lokale, policia tha se banorët vazhdonin të evakuoheshin nga kulla. Dëshmitarët okularë thanë se kishin parë drita, që mendohet se ishin telefona celularë apo pishtarë, që ndriçonin në tarracën e ndërtesës. Të tjerë thanë se banorët që mendohet se janë bllokuar brenda tentonin t’i afroheshin dritareve.
Ndërtesa mbante 120 apartamente dhe është 24 kate e lartë. Zyrtarët konfirmojnë se ajo i është nënshtruar kontrolleve periodike 2-vjeçare të mirëmbajtjes. E fundit ishte kryer vitin e kaluar.