Gjirokastër, 4 prill 2014 – Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë të Gjirokastrës. Një mësues i ka vënë flakën vetes në institucionin arsimor duke terrorizuar nxënësit, ndërsa kolegët e tjerë kanë ndërhyrë për të shuar flakët. 

Ngjarja në fjalë është regjistruar në shkollën Industriale të Gjirokastrës. Rreth orës 08:00 të mëngjesit, mësuesi L. Harshova, rreth 60 vjeç, është lyer me benzinë në ambientet e shkollës dhe më pas i ka vënë flakën vetes. 

U desh ndërhyrja e stafit pedagogjik për të shuar flakët. Mësuesi u transportua në spital, pasi kishte pësuar dëmtime në fytyrë. 

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet që e shtynë 60-vjeçarin të kryente aktin e rëndë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/