Ish-lojtari i Bajernit, Renato Sançez, është infektuar me “COVID-19”. Portugezi që luan me skuadrën e Lilës në Francë, ka rezultuar pozitiv.

Duket se ai është infektuar në vendlindjen e tij ku ndodhet që pas ndërprerjes përfundimtare të kampionatit francez. Ndërkohë që për t’u kthyer sërish në skuadrën e Lilës, ai duhet të kryejë dy teste dhe të rezultojë negativ.

Vetëm kështu ai do të jetë i lirë të udhëtojë drejt shtetit francez. Duket se lojtari do të humbasë fazën përgatitore me skuadrën tij. Një gjë e tillë do të ndikonte jo për mirë si për të ashtu edhe për Lilën që e konsideron lojtarin portugez nga më të rëndësishmit në skuadër.

Gjithsesi, nëse testet e ardhshme do të rezultojnë negative, atëherë Sançez mund të udhëtojë menjëherë drejt Francës për të qenë pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri.