Rreth 100 banorë të Durrësit kanë qëndruar në çadrat e vendosura të stadiumit “Niko Dovana”, deri rreth 01:00 të mëngjesit të sotëm.
Më pas qytetarët janë larguar drejt shtëpive të tyre, bën të ditur për “DurrësLajm” prefekti Roland Nasto, në cilësinë e kreut të Shtabit të Emergjencave të Prefekturës Durrës.
Ndërkohë, 79 persona janë sistemuar dhe po qëndrojnë në ambientet e Kavaleshëncës së Ministrisë së Brendshme, ndërsa një numër i reduktuar personash, rreth 8, janë të sistemuar te Kavaleshenca e Ministrisë së Mbrojtjes.
Një lajm i shpërndarë rreth orës 22:30 në disa portale ku paralajmërohej tërmet i fuqishëm në Durrës dhe Tiranë shkaktoi panik te qytetarët. Lajmi parashikonte një tërmet të fuqishëm rreth orës 23:30 të së dielës. Kaq mjaftoi që qytetarë të shumtë në Durërs e Tiranë të braktisnin shtëpitë dhe u dyndën në sheshe dhe rrugë nën panik të madh.
U desh të kalonte mesnata si dhe të reagonin të gjitha autoritetet, që qytetarët të qetësoheshin dhe të riktheheshin në banesat e tyre.





