TIRANE, 04 mars 2013– Nga burgu në Greqi ku ndodhet i arrestuar, biznesmeni Arben Frroku, i dyshuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ka dërguar në Shqipëri një mesazh për mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e tij. Mesazhi është bërë publik dje në faqën e futboll klub Tërbunit para ndeshjes që kjo skuadër ka luajtur me ekipin e Partizanit. “Ne radhë të parë, dëshiroj të përshëndes gjithë tifozët e Tërbunit dhe stafin dhe lojtarët. Ju kërkoj falje se s`jam mes jush, por kjo s`do të thotë që ju mungon mbështetja ime dhe shumë shpejt do të kthehem të vazhdojmë së bashku ëndrrën tonë për Superligë”, shkruhet në mesazhin e dërguar nga biznesmeni për skuadrën e futbollit të qytetit të Pukës, president i së cilës është 43-vjeçari. “I bëj thirrje ekipit që të vazhdojë i qetë punën se s`do ketë asnjë problem financiar dhe të fitojmë për këta tifozë të mrekullueshëm që kemi, të cilët besoj se do ta mbushin plot stadiumin. Forca KF Tërbuni kampion! Me respekt Arben Frroku”, mbyllet mesazhi i biznesmenit dërguar nga burgu në Greqi.

PANKARTAT PËR FRROKUN

Tifozët e skuadrës së Tërbunit kanë mbajtur pankarta në duar dje gjatë ndeshjes së luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” mes Tërbunit dhe Partizanit. Ndeshja e Kategorisë së Parë, e vlefshme për javën e 19- të, përfundoi me fitoren e pukjanëve 1-0 ndaj Partizanit. Tifozët e Tërbunit kanë mbajtur pankarta në duart, ku shkruanin “Arben Frroku, krenaria jonë!”. Mësohet se angazhimi i biznesmenit Arben Frroku në mbështetjen e skuadrës së Tërbunit ka nisur më 21 janar 2013. Gjatë një deklarate në ditën e parë të marrjes së presidencës së klubit, biznesmeni është shprehur se “kam afruar pesë lojtarë serbë, por jo të gjithë do të qëndrojnë. Gjithashtu do të ketë edhe futbollistë të tjerë që do të firmosin deri në përfundim të merkatos. Skuadra do të nisë firmosjen e kontratave të reja. Ai futbollist që e meriton dhe që bie dakord me kushtet, do të qëndrojë. Mendoj të krijoj një ekip me frymë europiane, ndryshe nga skuadrat e tjera shqiptare”.

/Artikullin e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama/