Dikur shëtitorja “Taulantia” gëlonte nga njerëzit që dilnin për të bërë ecjen e mëngjesit, apo shëtitjen e pasdites, ajo ishte pikë referimi dhe një nga vendet e preferuara të durrsakëve për të kaluar mbrëmjen.
Por sot duket se shumë pak ka mbetur nga pamja e dikurshme dhe qetësia që të ofronte kjo zonë i ka lënë vendin ‘xhullurdisë’ së përditshme dhe shëtitja buzë detit në këto ditë të nxehta vere më shumë të mbush me stres se sa të relakson.
Tregtarët ambulantë kanë pushtuar të gjithë shëtitoren nga fillimi deri në fund dhe shesin aty mallrat e tyre. Mungojnë vetëm frutat e perimet pasi aty mund të gjesh gjithçka, duke filluar nga veshjet, këpucët, lodrat për fëmijë, librat, objekte dekorative etj. Më shumë sesa shëtitore fotot e mëposhtme pasqyrojnë atmosferën e një tregu të çrregullt.
Kësaj rrëmuje i shtohen edhe lojërat e shumta për fëmijë që gjenden në çdo cep, dhe që e ngrenë muzikën në qiell, duke bërë që vizitorëve t'i buçasin veshët nga zhurma.
E sigurisht që nga ajo shëtitja e famshme e disa viteve më parë nuk ka mbetur shumë për t’u shijuar, kështu që durrsakëve të vjetër u mbetet thjesht ta kujtojnë me mall e nostalgji Vollgën e dikurshme dhe peizazhin relaksues që ofronte.
R.O.