Risi të rëndësishme në listën për dy ndeshje tejet të rëndësishme me peshat e mëdha të futbollit botëror, Italinë dhe Spanjën.
Lista e trajnerit të Kombëtares Kuqezi, Christian Panucci për dy takimet e radhës ka lajme të mëdha, i pari, ai i rikthimit të Taulant Xhakës. Mesfushori 26-vjeçar i Bazelit nuk ishte grumbulluar me Kombëtaren që pas atij takimi me Italinë në marsin e kaluar, pas largimit nga grumbullimi që solli edhe polemikat publike me trajnerin e asaj kohe Gianni De Biasi. Gjithsesi në mënyrë konstante gjatë kësaj periudhe Xhaka ka këmbëngulur në lidhjen e tij të fortë me ngjyrat kuqezi, dhe tanimë rikthehet për dy takime të rëndësisë maksimale.
Në Kombëtare vjen sërish edhe Sokol Cikalleshi, por ai është një rikthim i paralajmëruar me Panuccin që kishte bërë të ditur se vendimi për ta lënë jashtë kishte të bënte vetëm për ndeshjet me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë. Rikthim i rëndësishëm padyshim ai i Ergys Kaces me mesfushorin e Paok që bashkohet sërish me shokët e Kombëtares pas një mungese relativisht të gjatë duke u vënë për herë të parë në dispozicion të trajnerit të ri Panucci.
Shikon sërish Kombëtaren edhe Ermir Lenjani, që pas transferimit te Sion ka gjetur dhe minutat e aktivizimit, kusht i qenësishëm për ftesën në ekipin Kombëtar. Për sa i përket herëve të para, emri për t’u shënuar është ai i Emanuele Ndojit, mesfushorit 20-vjeçar të Breshias që pas eksperiencave me përfaqësueset e moshave thërritet për herë të parë me Kombëtaren A.
Lajm përbëjnë padyshim edhe mungesat, e lehtë të konstatohen ato të Jahmir Hykës dhe Bekim Balajt, me sulmuesin shkodran që është kthyer vetëm para pak ditësh nga dëmtimi me Panuccin që me sa duket ka gjykuar se ende nuk është në formën optimale.
Për sa i përket pjesës tjetër të listës, janë tre emrat e zakonshëm për portën, Berisha, Strakosha e Hoxha, konfirmim në repartin e mbrojtjes për të rinjte Memolla e Balliu që u ftuan për herë të parë muajin e kaluar, në mesfushë spikasin rikthimet e shumta, ndërkohë që në sulm pa Balajn peshën e repartit do ta mbajnë Sadiku, Cikalleshi, Llullaku e Valon Ahmedi.





