DURRËS, 5 nëntor 2014– Futbolli grek vihet sërish në qendër të vëmendjes për shkak të dyshimit për trukim ndeshjesh. Nuk bëhet fjalë për sfida të ligave amatore por pikërisht për një ndeshje të Kategorisë Superiore të luajtur në 26 tetor të këtij viti. Sipas faqes greke “Soccerplus.gr”, ndeshja PAOK-Veria që u mbyll me rezultatin 4-1 për skuadrën nga Selaniku, është vënë në qendër të dyshimeve për trukim me të akuzuar të vetme skuadrën mike. Ekipi i Ergys Kaçes përjashtohet nga dyshimet e hedhura pasi janë lojtarët miq ata që mendohet se kanë sabotuar takimin duke lejuar që skuadra e tyre të pësonte 4 gola. Të dhënat janë marrë nga kompania “Federbet”, e specializuar në sinjalizimet për ndeshjet e dyshimta. Gjithçka bazohet në dyshimet për sasinë e golave sepse edhe në minutën e 25 kur sfida ishte ende në shifrat 0-0, ata që vendosnin bast për 4 gola apo më shumë përfitonin një koeficent shumë të ulët, 1.4. Aktualisht, nuk dihet ende nëse organet greke do të nisin një hetim kundër skuadrës mike apo elementëve që mendohet se janë të implikuar.





