Papa Francesku do të dalë sot nga spitali “Gemelli” në Romë dhe pritet të kthehet në rezidencën e tij në Santa Marta, pas 38 ditëve shtrim për shkak të pneumonisë bilaterale dhe infeksionit respirator polimikrobik.

Por mjekët thonë se atij do t’i duhet të respektojë një periudhë pushimi dhe rikuperimi prej të paktën dy muajsh. Gjatë javës së fundit gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar, por dhe vetë Papa ka dëshiruar të kthehet sa më shpejt në Vatikan.

Pavarësisht se ka qenë i tërhequr dhe pak i dukshëm, ai ka dashur të jetë pranë besimtarëve në këtë periudhë të rëndësishme të Pashkëve, momenti më i shenjtë për të krishterët. Me daljen nga spitali, agjenda e Papës pritet të ndryshojë ndjeshëm.

Pjesëmarrja e tij në ritet e Pashkëve do të varet nga përparimi i shëndetit. Për udhëtimin e planifikuar në Turqi në fund të majit, mjekët shprehen se ende nuk ka siguri nëse mund të realizohet. Gjatë fazës së rikuperimit, Papa do të shmangë takimet me grupe të mëdha, pasi mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e tij.

Mjekët konfirmuan se gjendja klinike e Papa Françeskut është e qëndrueshme prej dy javësh. Gjatë ditëve të fundit Papa Françesku nuk kishte më nevojë për maskën e oksigjenit gjatë natës, nisi të ushqehej normalisht, ndjente më shumë energji dhe u kthye në punë.