Drejtoresha e shkollës “Vinçenc Prendushi” në Durrës, motër Donata Montagnoli, ditën e djeshme u vlerësua me një çmim të veçantë nga Papa Francesku në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, në mbyllje të Sinodit Dioqezan, që ajo Dioqezë ka zhvilluar për tre vite rradhazi. 

“Një vlerësim për punën dhe angazhimin e saj të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave të rinj. Motër Donata është një vlerë, një grua që e don dhe e vlerëson gjithë komuniteti fisnik durrsak”,- shkruan në rrjete sociale Dom Gjergj Meta, për këtë titull të lartë të akorduar nga Vatikani për motër Donatën.
Së bashku me drejtoreshën e shkollës “Vinçenc Prendushi”, me një çmim mirënjohjeje është nderuar nga Papa Francesku edhe motër Anna de Robertis, e cila ka rreth 30 vite në Shqipëri. 

Çmimi për motër Anna-n është akorduar me motivacionin “për  angazhimin e saj sidomos me njerëzit në nevojë e me edukimin e rinisë”.
“Nuk e lëshoi Durrësin për asnjë çast, as në ditët më të vështira të ’97 kur kishte mundësinë të largohej. Kujtoj vitet ’90 kur mblidheshim si adoleshentë dhe të rinj në Durrës, te motrat pranë Kishës së Shën Luçisë plot entuziazëm” – shkruan Dom Gjergji për motër Anna-n.
Dom Gjergj Meta, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, me anë të dy statuseve të veçantë në Facebook përgëzon te dyja motrat për punën e bërë përgjatë gjithë këtyre viteve në vendin tonë dhe veçanërisht në Durrës.