Papa Françesku, i cili qëllimisht shmang pompozitetin dhe privilegjin që vjen me pozicionin e tij si kreu i Kishës Katolike Romake, ka vendosur që një arkivol i thjeshtë prej druri do të mjaftojë kur të vijë koha për funeralin e tij.
Vatikani njoftoi zyrtarisht sot se Françesku do të braktisë një praktikë shekullore të varrosjes së Papës në tre arkivole krah për krah, prej selvie, plumbi dhe lisi. Në vend të kësaj, ai do të varroset në një arkivol druri të thjeshtë, të veshur me zink.
Trupi i Françeskut gjithashtu nuk do të ekspozohet për pelegrinazh popullor në një platformë të ngritur në Bazilikën e Shën Pjetrit, siç ishte rasti me paraardhësit e tij. Vizitorët do të mund të bëjnë nderimet e tyre, por trupi i tij do të mbetet brenda arkivolit, me kapak të mbyllur.
Françesku, i cili më 17 dhjetor do të mbushë 88 vjeç, vitet e fundit është përballur me probleme të ndryshme shëndetësore, por muajt e fundit duket se është në gjendje të mirë. Ai përdor një karrige me rrota për të lëvizur për shkak të dhimbjes së gjurit dhe shpinës, por në shtator ai bëri dy udhëtime të vështira jashtë vendit dhe në tetor ai priti një takim të udhëheqësve katolikë romakë në Vatikan.
Vitin e kaluar, Françesku kishte thënë se donte të thjeshtonte ceremonitë madhështore të organizuara për funeralet e paraardhësve të tij. Ai do të bëhet gjithashtu Papa i parë në më shumë se një shekull që do të varroset jashtë Vatikanit. Në vend që të varroset në bazilikën e Shën Pjetrit, ku prehen 91 papë, Françesku preferon Bazilikën e Virgjëreshës Mari në Romë, sepse i kushtohet Virgjëreshës Mari. Ai shkon në këtë kishë për t’u lutur para dhe pas udhëtimeve të tij jashtë vendit.
Papa i fundit që u varros jashtë Vatikanit ishte Leo XIII, i cili vdiq në 1903 dhe prehet në Bazilikën e Shën Gjon Lateranit në Romë.
Tre arkivole përdoren tradicionalisht për varrim për të vulosur hermetikisht trupin e papës. Kështu, monedhat ose dekretet e lëshuara nga Papa gjatë mandatit të tij lejohen gjithashtu të varrosen me të.