Papa Françesku tha në meshën e Krishtlindjes se njerëzit duhet të ndjehen të detyruar të ndihmojnë nevojtarët, sepse vetë Jezusi lindi një i dëbuar i varfër.
Mesha u mbajt në një pjesë të pasme të Bazilikës së Shën Pjetrit me më pak se 100 pjesëmarrës dhe vetëm një numër të vogël të kardinalëve dhe peshkopëve.
Zakonisht ajo mbahet në seksionin kryesor të bazilikës dhe marrin pjesë deri në 10,000 njerëz, përfshirë trupat diplomatike që përfaqësojnë gati 200 vende.
Të gjithë, përveç Papës dhe korit të vogël, mbanin maska gjatë meshës, e cila filloi dy orë më herët se zakonisht, në mënyrë që edhe numri i kufizuar i njerëzve që morën pjesë, të mund të ktheheshin në shtëpi deri në orën 10:00, kur edhe fillon ora policore e vendosur si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Françesku tha se Krishtlindja duhet të bëjë që të gjithë të reflektojnë mbi “padrejtësinë tonë ndaj kaq shumë vëllezërve dhe motrave tona” në vend që të ndjekin “dëshirën për të pasur sa më shumë”.
“Zoti erdhi mes nesh në varfëri dhe nevojë, për të na thënë se duke u shërbyer të varfërve, ne do të tregojmë dashurinë tonë për të”, tha Papa 84-vjeçar.
“Zoti gjithmonë na do me një dashuri më të madhe sesa kemi për veten tonë. Ky është sekreti i tij për të hyrë në zemrat tona”, shtoi Papa.
Të premten, Papa do të lexojë mesazhin e tij “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën) nga një sallë brenda Vatikanit dhe jo nga ballkoni qendror i Sheshit të Shën Pjetrit, një ngjarje që tërheq zakonisht dhjetëra mijëra njerëz.
Italia është nën një bllokim mbarëkombëtar për shkak të pandemisë së COVID-19.