“Djemtë e detit” u rikthehen përgatitjeve dhe trajneri Magani nuk ka humbur kohë, por ka filluar nga puna për ndeshjen e radhës me Skënderbeun. Trajneri ka kërkuar nga të gjithë angazhim dhe fokusim vetëm te ndeshja dhe përgatitjet t’i marrin seriozisht duke përvetësuar çdo ushtrim. Durrsakët duken të motivuar, por trajneri Magani ka kërkuar që të harrohet fitorja e thellë me Korabin. Sipas teknikut peqinas, ndeshja me Skënderbeun do të jetë një tablo tjetër, ndaj nuk duhet të mos mendohet asgjë tjetër, përveç këtij takimi. Ideja dhe plani i Maganit është që ekipi duhet të mbledhë pikët e mbijetesës, pasi rreziku mbetet prezent. Për këtë arsye, ai kërkon që të mos ketë shenja euforie nga të besuarit e tij. I afruar në janar nga ekipi i Tiranës, Enriko Papa ka shënuar golin e tij të parë me uniformën e Teutës. Papa nuk e fsheh gëzimin, por shton se ndaj Korabit gjërat shkuan mirë.
“Fituam ndaj Korabit, një ndeshje që na shkoi mirë dhe e interpretuam siç duhet. Jam i lumtur për golin e shënuar, por mbi të gjitha për tri pikët e marra. Skuadra ka nevojë për pikë dhe të gjithë duhet të japin kontributin për të ndihmuar Teutën që sa më shpejt të sigurojë mbijetesën. Trepikëshi na shikoi, por koha e pakët në dispozicion na bën që ta harrojmë këtë fitore dhe të ruajmë vazhdimësinë në ndeshjet e mbetura.Përballja e radhës me Skënderbeun është mjaft e vështirë dhe që ka rëndësi për të dyja skuadrat, ndonëse me objektiva të ndryshme. Ne do të përgatitemi siç duhet dhe do të bëjmë detyrën tonë në seancat stërvitore dhe gjatë takimit. Kampionët luftojnë për titull, por edhe ne çdo ndeshje e shikojmë si të ishte ajo që vendos titullin tonë.Nuk duam të rrezikojmë në fund, por të mbledhim sa më shumë pikë që të shpëtojmë nga rënia. Dua të shtoj që kjo skuadër, me këta lojtarë, staf teknik dhe investimet që bëhen nuk e meriton këtë pozicion, por në shumë raste futbolli tregohet tekanjoz”, u shpreh Enriko Papa.