Mijëra katolikë u mblodhën në Koloseun e Romës për ceremoninë e së Premtes së Mirë në atë që njihet si  ‘Rruga e Kryqit’.

Sipas traditës një kryq prej druri kaloi dorë më dorë në 14 stacione që përfaqësojnë momentet nga historia biblike e kryqëzimit të Jezusit .

Papa Françesku, i cili ende po rikuperohet pas daljes nga spitali nuk mori pjesë në procesion për të tretin vit radhazi. Vatikani  ne një deklaratë bëri të ditur se Ati i Shenjtë kishte shkruar personalisht meditimet për ceremoninë e Koloseut këtë vit. Reflektimet u lexuan nga kardinali i Romës Baldo Reina. Ato ishin të shkurtra ku në qendër ishte tema e konflikteve në mbarë botën, vështirësitë ekonomike dhe vendin që duhet të zënë gratë në Kishën Katolike.

E Premtja e Mirë i paraprin të Dielës së Pashkëve, data më e rëndësishme në kalendarin liturgjik të Kishës duke përkujtuar ditën kur të krishterët besojnë se Jezusi u ringjall nga të vdekurit. Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance, ishte gjithashtu pjesë e një shërbesë fetare në Vatikan. Ai do të marrë pjesë në kremtimin e Pashkëve  në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën. Vatikani nuk ka thënë ende nëse Papa do të marrë pjesë në ceremoni.

Ndërkaq mijëra njerëz mbushën sheshin Trafalgar të Londrës për ceremoninë e kryqëzimit të Jezu Krishtit.  Rreth 100 marshues të veshur me të zeza parakaluan nëpër qytetin çek të Ceske Budejovice.

Edhe në qytetin e vogël katalanas të Verges, në veri të Spanjës banorët ishin të veshur me kostume prej skeleti ndërsa mbanin edhe pishtarë . Shfaqja është një nga traditat më të vjetra dhe më simbolike të Javës së Shenjtë të Spanjës, që daton në shekullin e 14-të ku ndërthuren elemente të lojërave mesjetare me ritualet katolike.