Papa Françesku vuan nga një pneumoni e dyfishtë. 88-vjeçari është shtruar në spital në Romë prej javës së kaluar, ndërsa Selia e Shenjtë njoftoi se gjendja shëndetësore e tij vazhdon të jetë komplekse.

Testet laboratorike treguan se pneumonia i ka prekur të dyja anët e mushkërive. Po kalon një bronkit astmatik dhe një infeksion polimikrobik, ndërsa mjekëve u është dashur të përdorin tek ai edhe antibiotikë.

Për shkak të terapive shtesë që ata po përdorin, Papa duhet të qëndrojë i shtruar në spital të paktën deri javën e ardhshme dhe për këtë aryse duhet të anulojë të gjithë axhendën si dhe meshën e të Dielës në sheshin Shën Pjetër.

Hera e fundit që është shtruar në spital nga problemet me mushkëritë ka qenë viti 2023. Vitet e fundit,  Papa është përballur edhe me probleme të tjera shëndetësore për të cilat ka kryer edhe ndërhyrje kirurgjikale si hernien dhe zorrë të trashë dhe së fundi ka përdorur edhe karrocën për të lëvizur për shkak të dhimbjeve në gju.