Barrierat metalike ndarëse të rrugës dhe një tabelë e sinjalistikës rrugore janë dëmtuar gjatë orëve të mbrëmjes dhe në orët e para tëë mëngjesit të sotëm në qendër të Durrësit.
Në dy aksidente të ndryshme, njëri i regjistruar përgjatë rrugës “Egnatia” dhe tjetri në bulevardin “Epidamn”, drejtuesit e mjeteve (nën ndikimin e avujve të alkoolit apo për shkak të shpejtësisë së madhe) kanë marrë para barrierat ndarëse dhe sinjalistikën vertikale, siç duket në pamjet filmike të operatorit të “DurrësLajm”, Sokrat Toçi.
Kjo nuk është hera e parë, kur shoferë të papërgjegjshëm shkelin Kodin Rrugor dhe bëhen burim aksidenti.
Jo më larg se dy netë më parë, në lagjen nr. 5 të qytetit bregdetar, një drejtuese mjeti pasi mori para një pemë, një makinë të parkuar dhe pasi u përplas edhe me një biznes përfundoi në hyrjen e një pallati.
Fatmirësisht, shoferja e re mori lëndime të lehta, por aksidenti mund të kishte pasur pasoja më të rënda nëse në ato momente në vendngjarje do të ndodhej ndonjë kalimtar.
Abuzimi me pijet alkoolike apo substancat narkotike tek të rinjtë bëhet shpesh burim aksidenti gjatë orëve të natës, në disa raste me pasoja fatale për shoferët apo kalimtarët e rastit.
M.B.