GJIROKASTER, 6 nëntor 2013  – Lidhja e kreut të shtetit grek me Shqipërinë, e veçanërisht me Gjirokastrën, është e hershme, qysh kur ishte në vitet e tij të fëmijërisë. Në mënyrë krejtësisht të sinqertë, Presidenti grek Karolos Papulias ka treguar para një auditori të madh njerëzish në Gjirokastër këtë pjesëz të historisë së tij personale, si për të treguar lidhjen e tij të hershme me Gjirokastrën, aty ku vetë Papulias u nderua dje me çmimin më të lartë të akorduar nga kjo bashki, atë të “Qytetarit të Nderit”. 

“Gjirokastrën e kam njohur në vitet e fëmijërisë sime, kur nëna ime dhe unë kemi ardhur për të blerë misër në këmbim të unazës së saj të artë. Ajo shiti unazën që siguruam misrin për të ngrënë”, është shprehur Papulias duke treguar afrimitetin e tij me Gjirokastrën në vitet e hershme.

Presidenti grek ka çmuar raportet mes dy vendeve, të cilat sipas tij kanë qenë dhe janë miqësore në kuadrin e miqësisë së hershme mes dy popujve fqinjë. Në këtë linjë ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, i cili ishte edhe vetë iniciuesi i akordimit të titullit vlerësues “Qytetar Nderi”, në adresë të zotit Papulias. 
Vetë kryebashkiaku Flamur Bime e ka cilësuar gjirokastrit kreun e shtetit grek, pasi mori në dorëzim titullin e akorduar. Menjëherë pas nderimit të mikut grek, ky i fundit mori rrugën për në fshatin Dervician, i cili njihet si kryeqendra e minoritetit grek që jeton në pjesën jugore të Gjirokastrës.