Kronikë e zezë: Bashkëshorti hedh gruan nga ballkoni. Kronikë e zezë: Babai mbyt fëmijët e mitur. Kronikë e zezë: Lufta në Siri vazhdon, terroristët kërcënojnë sulme në Europë.

Emigrantë që kalojnë kufijtë në emër të paqes, lirisë dhe sigurisë. Epo… kjo është mënyra e duhur si një adoleshente si unë do ta konceptojë paqen, sigurinë, të sotmen dhe të ardhmen?

Gjithkush nga ne ka mënyrën e vet të të përjetuarit, të të ëndërruarit, të të konceptuarit dhe të pritshmërive. Por kjo nuk është mënyra e duhur si realiteti dhe dëshirat duhet të na ofrohen. Unë kam shumë endrra të cilat përpiqem t’i bëj realitet dhe ndër to bën pjesë paqja dhe siguria. Ky është realiteti i hidhur, paqja dhe siguria janë thjesht ëndrra. Jeta sot, në sytë e mi, është e zezë, e bardhë, gri e herë-herë me nuanca e ngjyra. Në ditët e sotme kushdo është i uritur për paqe, qetësi, mirëqenie e siguri, për vete dhe për familjen. Nga njeriu i thjeshtë e deri tek politikani i lartë, i cili drejton një vend dhe vetëm paqe dhe siguri nuk garanton. Ai thotë se po përpiqet e megjithatë unë prapë shoh luftë, njerëz të vrarë, njerëz të mbytur deteve, fëmijë që qajnë, fëmijë që vdesin. Nuk është kjo mënyra se si unë do të doja të jetoja.

Unë jam shumë e lumtur që kam jetën dhuratë, ta jetoj duke përmbushur detyrat, duke pasur të drejtat dhe duke i respektuar ato. Por unë nuk jam e lumtur për të tjerët kur shoh jetë që shkojnë dëm, shpirtra që sakrifikohen, shpresë të humbur, njerëz që braktisin vendin, familjen për të gjetur shpresën, në kërkim të paqes dhe sigurisë. Dhe unë nuk jam aspak e lumtur kur shoh të drejtat e mia dhe të shumë individëve të tjerë të shkelen përpara syve të mi.

Thonë se që të ketë paqe në botë si fillim paqja duhet të fillojë tek individi. Kjo mund të jetë shumë e vërtetë, por me fjalë. Fjalë të cilat duken optimiste, fjalë që kur i dëgjon të bëjnë të buzëqeshësh, por njëkohësisht edhe fjalë që të bëjnë të rebelohesh. Të rebelohesh i detyruar nga indiferentizmi dhe mungesa e theksuar e solidaritetit. Mijëra fëmijë vdesin përditë në Siri dhe askush nuk shqetësohet për ta, ndërkohë që e gjithë bota sensibilizohet dhe revoltohet për vdekjen e 20 personave në Paris. Padrejtësi.

Realiteti, politika dhe filozofia e interesit po na çojnë sot në një verbim të gjithanshëm. Unë me të vërtetë nuk e di më se çfarë është paqja kur çdo ditë e imja ka disa momente “kronikë e zezë”. Rrugës shoh njerëz të ulur në troruar, të shfrytëzuar deri në frymën e fundit, duke lypur. Zëra të mjerë e vrastarë më plagosin shpirtin. “Na fal noi lek”, pleq që përplasen rrugëve e urbanëve të mbushur me zymtësinë, vrazhdësinë e indiferentizmin e njerëzve. Ky është refreni i ditës sime aq sa edhe Migjeni do ta kishte zili.

Qytetarët e mi kanë harruar të qeshin, moshatarët e mi nuk dinë të kuptojnë, ata vetëm kërkojnë, prindërit e mi s’duan të protestojnë se ndihen të pambrojtur, fqinjët e mi s’duan të qetë të jetojnë. Ku po shkojmë?  Deri kur? Ne kemi harruar të dashurojmë, kemi harruar se shpirti është krijuar për të dashur e për të falur.

Kjo nuk është mënyra se si unë kërkoj të rritem, të edukohem, të krijoj parimet e mia, të zbatoj parimet e shoqërisë dhe të familjes. Por jam e frikësuar. Jam e frikësuar të marr virtytet e jetës së përditshme, sepse ato të kthejnë në një njeri jo paqësor, në një qenie të frikshme dhe që i cënon gjithkujt paqen dhe sigurinë. Askush nuk do të jetojë pa qenë i sigurt, pasi siguria është gjithçka për jetën e individit.

Ndoshta dhe s’mund të jeni dakort me mua. Unë nuk jam revolucionare, madje as nuk e njoh doktrinën filozofike të komunizmit, por këtë botë nuk e dua kështu. Shenjtorja e madhe, hyjnorja Nënë Tereza u shenjtërua në emër të paqes dhe dashurisë njerëzore. Mos duhet të presim ndonjë mrekulli tjetër? Shenjtorja shqiptare na flet nga lart  “Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit.”  ; ty ty, atij, atyre, të gjithëve, në lagjen time, në komunitetin tim, në qytetin tim, vendin tim, fqinjin afër dhe larg meje.

Unë mendoj se ëndrrat mund të bëhen realitet. Dhe ëndrra e paqes dhe sigurisë është më e bukura që unë shoh në gjumë, me sy e mendje hapur. Le ta nisim së bashku rrugën drejt dashurisë, rrugën drejt paqes dhe sigurisë. E fqinjët, miqtë e dashamirët me emër le të na ndihmojnë.

Nga Darlen AGOLLI   

GJIMNAZI: “GJERGJ KASTRIOTI” XA