Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, u shpreh se paqja fiskale është një akt që sipas tij Rama u jep mbështetje karteleve të drogës.

“Edi Rama, zëdhënës kryesor në Europë i karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me të ashtuquajturën Paqe Fiskale, ka sanksionuar amnistinë për paratë e drogës, krimit, jo vetëm të karteleve të fuqishme shqiptare të kokainës dhe kanabisit, por edhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.

Një ligj, të cilin qeveria e SHBA, BE, por edhe vendet e tjera partnere, e kundërshtuan në mënyrën më të prerë para dy vitesh, Edi Rama e ka votuar në parim në parlament.

Ky akt është mbështetja publike më e fuqishme që Ramaduro, shefi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, u bën karteleve shqiptare të drogës dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine”, tha Berisha.

Sipas tij, PD, deputetët e saj, në komisionet përkatëse, kanë mbajtur qëndrime të prera kundër kësaj përpjekje.

“Kanë bërë amendamente shumë të qarta, por nuk janë marrë parasysh asnjëra prej tyre nga mazhoranca. Për PD-në, grupin e saj parlamentar, ligji është një mundësi ligjore për pastrimin e parave nga klanet e drogës dhe krimit.

Për evazionin e mëtejshëm fiskal. Për shmangien e bizneseve nga detyrimet fiskale të ardhshme kundrejt shtetit.

Për favore ndaj sektorëve ku risku i pastrimit të parave është shumë i madh dhe që po ndodh aktualisht. Ndërtimi në Shqipëri është lavatriçja e parave të drogës, më e madhja në Europë. Kjo mos t’u duket çudi sepse treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i madh se në BE.

Në këtë ligj ka mungesë të plotë të transparencës për opinioni publik dhe komunitetin e ndershëm të biznesit. FMN ka paralajmëruar më parë qeverinë shqiptare për rreziqet e mëdha të kësaj amnistie. Banka Botërore gjithashtu”, tha kreu i PD.