Dy ish-punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, janë arrestuar, pas skandalit të publikuar në emisionin ‘Fiks Fare’, nën akuzën e korrupsionit. Burime zyrtare bënë me dije se në pranga ranë Besim Nasufi, 63 vjeç, banues në Tiranë, ish-përgjegjës shërbimesh për mësimoret në U.B Tiranë dhe Elison Rota, 38 vjeç, banues në Tiranë, ish-laburant në universitet.
Ndalimi i tyre u bë për arsye se më datat 5 gusht në emisioni ‘Fiks Fare’, janë transmetuar pamje filmike, ku dyshohet se në mënyrë korruptive Nasufi dhe Rota në bashkëpunim me njeri-tjetrin në intervale të ndryshme kohore kanë marrë ryshfet nga student të ndryshëm me qëllim ndikimin tek pedagogët e Universitetit Bujqësor, për sigurimin e notave kaluese gjatë provimeve.
Sakaq, Besim Nasufin, që bënte rolin e sekserit ne Universitetin Bujqësor, shfaqej në një tjetër video, ku kërkonte favore seksuale nga studentët për marrjen e provimeve. Nasufi teksa merr para në këmbim të një note kaluese, i kërkon studentes edhe favore seksuale nëse s’ka mundësi të paguajë. Në një video të publikuar sot, sekseri vazhdon ta ngacmojë vajzën dhe i thotë “të kam shpirt ty, të dua shumë” dhe “se do shkosh tek muhabeti im”, ku nga 120 mijë lekë të vjetra, e ka rritur tarifën e ryshfetit në 170 mijë lekë, (20-70 mijë i mbante për vete, pjesën tjetër ia jepte pedagogut të lëndës).
Nga ana e Specialistëve të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjore të veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë Pranë Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.





