Në ditën e lindjes së të riut durrsak Troivgin Petani, i cili u nda nga jeta 2 vite më parë pas një aksidenti rrugor, një dedikim i veçantë për të erdhi këtë të shtunë nga klubet e motoristëve Steelwings Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut etj.
I ndarë nga jeta kur ishte vetëm 17 vjeç, Troivgin la pas një dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh tek prindërit e tij, por sot, kur një paradë motoristësh përshkoi qytetin e Durrësit në nderim të tij, dhimbja u bë pak më e lehtë për familjarët.
Me dhjetëra motoristë shqiptarë, nga të gjitha trevat shqipfolëse u mblodhën në Durrës për të përkujtuar, të riun e apasionuar pas motorëve, që mbase nëse do të kishte jetuar më gjatë, sot mund të ishte pjesë e grupit të tyre.
Vargu i gjatë i motomjeteve u ndal pranë shtëpisë së Troivginit në Shkozet, për të përshkuar më pas rrugët e qytetit bregdetar, ku një ndalesë e shkurtër ishte edhe në shëtitoren “Taulantia”.
Në një postim mjaft të ndjerë në rrjete sociale, e ëma e 17-vjeçarit e përshkruan paradën e sotme si “Parada më e Bukur e Dashurisë, për ditëlindjen tënde Troy”.
Ndërsa i uron ditëlindjen djalit të saj, që sot feston së bashku me ëngjëjt në qiell, një falenderim i saj i veçantë shkon për klubet e motoristëve Steelwings, të cilët u bënë bashkë për të përshkuar pikërisht ato rrugë të Durrësit, që Troy i përshkoi fillimisht si fëmijë e më pas si një adoleshent me shumë ëndrra të bukura dhe një dashuri të madhe për jetën.
Postimi i plotë:
Love Ride ne Durres
Ne qytetin ku u rrite, gezove, mesove, qeshe e dashurove. Ne Durresin qe e pershkrove me kembet e vocka e pastaj i rritur. Ne keto rruge ku ndave te qeshura, perqafime dhe hare, sot qe mungon, te tjere burra me zemer te madhe e bene per ty Troivgin.
Shkodra, Tirana, Vlora dhe sigurisht Durresi u bene bashke per ty burra me zemer te madhe, qe sot nuk fshehen dot lotet, ne Paraden me te Bukur te Dashurise, per ditelindjen tende Troy.
Nuk gjejme fjalet e duhura per ti falenderuar te gjithe, perqafuar dhe çmuar me shume se cmundemi me fjale.
Keshtu, mes lotesh dhe dashurise qe ne sinergjine e madhe qe u be bashke sot, mes dhjetrash zemra plot dashuri te urojne te gjithe kete ditelindje ne Qiejt me te larte.
Nje falenderim i veçante shkon per Klodi dhe te miren Elona. Zemra e tyre sot, mbushi pak zemren tone.Ju falemi me mirenjohje.
Gezuar ditelindjen mes Engjejve Troivgin. Ata jane me fat qe te kane ty….





