Dhjetëra makina të viteve ’40-’80 kanë zbarkuar pasditen e djeshme në Durrës në ndalesën të dytë të stilit RETRO, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Parada Retro solli në qytetin bregdetar 48 automjete të markave Ford, Benz, Chevrolete, Fiat, Roll Roys, të mirëmbajtura nga koleksionistët mbarë vendit.
Ina Haveri, drejtore e informacionit pranë DPSHTRR shprehet se kjo është ndalesa e dytë e automjeteve të tilla, pas Tiranës dhe synohet që të zhvillohet edhe në qytete të tjera.
“Eventi është konceptuar me paradën që e drejton skoda dhe ndiqet nga makinat e tjera retro”, tha Haveri.
Petrit Bardhi ka sjellë në këtë ekspozitë një Volkswagen golf 1, një ekzemplar i rrallë me 4 dyer prodhuar në vitet 1974-1980. Ai shprehet se vështirësia për të ruajtur autovetura të tilla qëndron në faktin se nuk gjenden më pjesë këmbimi.
Admirues të shumtë të modeleve të vjetra kanë pozuar pranë makinave të rrjeshtuara në sheshin “Liria” të Durrësit.
Më pas automjetet udhëtuan së bashku në rrugët e qytetit deri në Plepa, shoqëruar nga muzika cantry e përzgjedhur nga anëtarët e Hemingueit.





