Në Pekin u zhvillua një paradë madhështore ushtarake, nën udhëheqjen e presidentit kinez Xi Jinping, i cili nderoi ata që luftuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në krah të presidentit kinez ishin edhe liderë të tjerë të fuqishëm botërorë, si presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte prania e një vajze adoleshente pranë liderit të Koresë së Veriut, një fakt që ngjalli shumë pikëpyetje rreth identitetit të saj. Bëhet fjalë për vajzën e tij, Kim Ju Ae.

Xi Jinping (1)

Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), edhe pse dihet shumë pak për të, Kim Ju Ae mund të jetë pasardhësja e ardhshme e udhëheqësit verikorean.

Ajo u shfaq për herë të parë në publik në vitin 2022, gjatë një testimi të raketave, ku shoqëronte të atin.

Ish-basketbollisti i famshëm i NBA-së dhe miku personal i Kim Jong Un, Dennis Rodman, ishte i pari që zbuloi se lideri verikorean kishte një vajzë. Gjatë vizitës së tij në Phenian në vitin 2013, Kim i prezantoi gruan dhe një fëmijë, duke i thënë:“Kjo është vajza ime”.

Xi Jinping (4)

Megjithëse mediat shtetërore të Koresë së Veriut nuk e kanë zbuluar kurrë emrin e saj, ajo është përshkruar si “fëmija shumë i dashur” dhe “e nderuar”.

Shërbimet e inteligjencës së Koresë së Jugut besojnë se ajo është Kim Ju Ae, vajza e Kim Jong Un dhe bashkëshortes së tij, Ri Sol Ju, një ish-yll i muzikës dhe aktualisht zonja e parë e vendit, me të cilën Kim është martuar në vitin 2009.

Në daljet e fundit publike, Ju Ae është parë duke ecur pranë të atit dhe përpara hallës së saj, Kim Yo Jong, si dhe nënës së saj.

Xi Jinping (5)

Stili i saj tërheq vëmendje ndërkombëtare, mban syze dielli Gucci dhe orë të markës Cartier, ndërkohë që imiton edhe pamjen e të atit me xhaketa lëkure.

Me pjesëmarrjen e saj në ngjarjen e fundit në Pekin, Kim Ju Ae “bëri në një farë mënyre debutimin e saj zyrtar në arenën ndërkombëtare”, thekson Yang Moo-jin, ish-rektor i Universitetit për Studime Verikoreane në Seul.

Sipas tij, Ju Ae ka marrë pjesë më parë edhe në aktivitete të tjera ushtarake dhe diplomatike, përfshirë një pritje në ambasadën e Rusisë. Ky kalim nga skena kombëtare në atë ndërkombëtare mund të sinjalizojë “fazën përfundimtare drejt trashëgimisë së pushtetit”, shton ai.

Nëse Kim Ju Ae do të pasojë Kim Jong Un, ajo do të ishte gruaja e parë që udhëheq Korenë e Veriut që nga themelimi i saj në vitin 1948.

Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një strategji të familjes Kim për ta prezantuar Ju Ae si trashëgimtare të mundshme të regjimit.

Nuk është një udhëtim i thjeshtë familjar, por në fakt një ‘hyrje në skenë si pasardhëse’”, shpjegon Lim Eul-chul, profesor në Institutin për Studime të Lindjes së Largët në Universitetin Kyungnam.

Ai shton se në të kaluarën, trashëgimtarët kanë përdorur Kinën dhe eventet ndërkombëtare për të fituar legjitimitetin nga fuqitë socialiste. Një shembull është takimi në vitin 1983 në Pekin mes Kim Jong Il, trashëgimtari i atëhershëm i Kim Il Sung dhe Xi Zhongxun, babai i presidentit aktual kinez, Xi Jinping.

“Skenari i Kim Ju Ae ndjek të njëjtën linjë historike,” përfundon ai.

Xi Jinping (3)

Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës së Koresë së Jugut (NIS) për herë të parë në vitin 2024 pranoi se Kim Ju Ae mund të jetë trashëgimtarja e regjimit.

“Sipas një analize të paraqitjeve të saj publike dhe vendit që zë në protokoll, ajo aktualisht duket të jetë trashëgimtarja më e mundshme,” deklaroi atëkohë kreu i agjencisë, Cho Tae-yong.

Cheong Seong-chang nga Instituti Sejong në Seul tregon se gjatë një parade ushtarake, kali i bardhë i Kim Ju Ae ishte në vendin e dytë, menjëherë pas atij të Kim Jong Un, një sinjal i qartë për rolin që ajo mund të ketë në të ardhmen.

Gjithashtu, Pheniani ka nxjerrë pulla postare me imazhe të dyshes baba-bijë, çka interpretohet si një tjetër provë për përgatitjen e saj drejt udhëheqjes.