Programi i ditës parashikonte një mbledhje me grupin në hotelin ku janë akomoduar kuqezinjtë, por trajneri De Biasi ka preferuar t’iu bëjë një surprizë të këndshme.Duke qenë se këtë të Shtunë ishte programuar vetëm një seancë stërvitore në orët e pasdites, trajneri ka organizuar një paradite të lirë relaksi duke iu komunikuar futbollistëve se orët në vijim do të mund të bënin një shëtitje në qendrën e Luksemburgut.

Në këtë mënyrë të gjithë futbollistët dhe stafi teknik kanë patur mundësinë që nga ora 10:30 deri në 12:30 të relaksohen duke kaluar kohën e lirë me shëtitje, shopping apo edhe duke konsumuar dicka në baret e shumta të qytetit.Grupi i Kombëtares ka ngjallur kërshërinë edhe të vendasve edhe turistëve që nuk kanë ngurruar të sigurojnë edhe një kujtim me djemtë e Kombëtares Shqiptare.Interesant është fakti se në Luksemburg kanë nisur të grumbullohen edhe tifozë shqiptarë, të cilët pritet të jenë prezentë në miqësoren që do të luhet në Josy Barthel.

Në kthimin në hotel, surpriza e radhës ka qenë Sokol Cikalleshi, i cili së bashku me Armando Sadikun janë bashkuar me grupin. Sulmuesi që shënoi të premten me skuadrën e tij Akhisar ka marë komplimentat e shokëve të skuadrës dhe në vecanti ato të trajnerit Gianni De Biasi.Për sa i përket dy futbollistëve të tjerë, Jahmir Hykës dhe Azdren Llullakut, ata do të bashkohen me kombëtaren vetëm në Stamboll, zgjidhje kjo e preferuar edhe për shkak të largësisë gjeografike nga vendet ku luajnë përkatësisht Shtetet e Bashkuara dhe Kazakistani.