Ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Takimi është zhvilluar në selinë blu ku i pranishëm ka qenë dhe ish-ambasadori i SHBA-së Alexander Arvizu si dhe Oerd Bylykbashi e Aldo Bumçi. Mësohet se në qendër të takimit ka qenë situata politike në vend.

Ndërkohë më herët, Lu i ka bërë thirrje kreut të opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend pasi vetëm në këtë mënyrë do t'i t’i hapet rruga zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Opozita ndodhet në ditën e 43-të të protestës përballë Kryeministrisë ku kryedemokrati Basha ka ritheksuar se nuk do të dalë nga çadra deri në realizimin e qeverisë teknike. 

Takimi Basha-Lu vjen një ditë pas darkës së kreut të qeverisë Rama me Metën te "Pazari i Ri" në fokus të së cilës ishte fati i koalicionit PS-LSI.

Lu dhe Arvizu takim me Metën tek Kryesia e Kuvendit
Pas takimit me kreun e opozitës Lulzim Basha, Donald Lu dhe ish-ambasadori amerikan Arvizu janë zhvendosur në kryesinë e Kuvendit ku pritet të takojnë Ilir Metën. Mësohet se ish-ambasadori ndodhet në Tiranë prej ditës së djeshme ku është parë të darkonte me disa gazetarë.