Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi paralajmëron se situata kriminale në Shqipëri është shumë delikate dhe e frikshme. Sipas tij është si një “bombë që i është hequr siguresa dhe pritet të shpërthejë”.

Ish-kreu i policisë thotë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se vullneti politik është instrumenti i vetëm i goditjes së krimit duke i shkëputur lidhjet me pushtetit.

"Asnjë prej këtyre eksponentëve të njohur të krimit, në këto 6 vjet, nuk është cenuar nga strukturat ligj-zbatuese për të vetmen arsye: atë të aleancës së ngushtë të tyre me pushtetin dhe me qeverinë. Në momentin që do të prishet ky raport, ashtu sikurse pakti i qetësisë mes vetë grupeve kriminale, situata do të precipitojë dhe do përballemi me fenomene të rënda të krimit në Shqipëri" – thotë Prençi.

“Pas largimit të ministrit Tahiri nuk u bë një krehje dhe kontroll i territorit për të sekuestruar të gjithë sasitë e magazinuara të lëndëve narkotike, asete këto të krimit të organizuar që trafikohen me tonelata herë pas here; e dyta, nuk shikojmë që të punohet nga policia për mijëra dosje të vjetra të pezulluara, gjë që do të sillte goditje të personazheve të krimit, të cilët tashmë janë të sigurt në vazhdimësinë e veprimtarisë së tyre të mëtejshme”– thotë ish-kreu i policisë së shtetit.