Raporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë nga grupi parlamentar i PPE-së, David Lega ka reaguar sërish sot për paketën antishpifje.

Zyrtari i lartë i PE paralajmëron në një postim në Twitter, se nëse administrata e kryeministrit Edi Rama kalon sot në Kuvend legjislacionin e medias, atëherë Shqipëria rrezikon seriozisht hapjen e negociatave.

“Grupi i PPE në Parlamentin Evropian beson fuqimisht në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Sidoqoftë, Shqipëria duhet t’i përmbahet kritereve të Kopenhagës, që janë standardi bazë dhe minimumi për një vend kandidat. Nëse administrata Rama miraton legjislacionin e medias në Parlament në formën e saj aktuale, ajo do të rrezikojë seriozisht shanset për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ata duhet të zbatojnë rekomandimet e lëshuara nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës”. shkruan ai.