Për shkak të pandemisë së koronës qeveria gjermane e ka shtyrë deri me 30 shtator paralajmërimin për rrezikun e udhëtimit në vende të treta jashtë BE. Situata do të vlerësohet më pas individualisht për secilin vend.

Paralajmërimi i përgjithshëm për rrezikun e udhëtimit në rreth 160 vende për shkak të pandemisë, sipas Ministrisë së Jashtme Gjermane, vlen deri më 30 shtator. Qeveria gjermane vendosi për zgjatjen, siç njoftoi një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, duke fashitur për momentin shpresat e sektorit të udhëtimeve. Ajo shpreson se do të jetë i mundur një konsultim i ngushtë edhe me vendet e tjera të BE. Do të ishte mirë, nëse në Evropë do të kishte një rregullore të përbashkët, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme.

Që nga tetori vlejnë kritere individuale

Nga tetori Gjermania do të ketë kthim në një “sistem të diferencuar”, në të cilin do të jepen instruksione individuale për udhëtimet dhe sigurinë për secilin vend jashtë Bashkimit Evropian. Paralajmërimet për rrezikun e udhëtimeve në vendet me zona rrezikshmërie mund të hiqeshin, nëse do të kishte për shembull, rregulla për karantinën, u tha në Berlin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme bëri gjithashtu të qartë, se duke patur parasysh rritjen e numrit të rasteve të koronës në vende të caktuara, mund të ndodhë që para fundit të muajit të lëshohen paralajmërime udhëtimi edhe për disa vende të BE. Kështu për shembull numri i infeksioneve të reja aktualisht po rritet shumë shpejt në Francë. Përgjithësisht edhe në të ardhmen duhen pritur kufizime të udhëtimeve, tha ajo.

Shoqata e udhëtimeve është e pakënaqur

Shoqata Gjermane e Udhëtimeve (DRV) foli për një hap “të hezituar” në drejtimin e duhur. Shefi i DRV, Norbert Fiebig, tha se megjithatë për klientët dhe industrinë e udhëtimeve kjo ndryshon shumë pak. Mbetet pasiguria, se kur do të jetë e mundur të udhëtojnë përsëri dhe kur firmat dhe punonjësit do të jenë në gjendje të nxjerrin përsëri jetesën, tha Fiebig, duke patur parasysh afro tre milionë të punësuarit në sektorin gjerman të udhëtimeve.

Ai kërkoi që vetëm vendet dhe qarqet, të cilat i tejkalojnë limitet e Institutit Robert Koch (RKI), të përcaktohen në të ardhmen si zonë rreziku dhe t’u jepet paralajmërim për rrezik nga udhëtimi – por jo pjesës tjetër të një rajoni të një vendi. Kryetari i shoqatës së udhëtimeve akuzoi gjithashtu qeverinë gjermane, se po rrezikon vendet e punës në ekonominë e orientuar drejt eksportit, meqenëse qindra mijëra vetë, që udhëtojnë për shkaqe biznesi, nuk mund të shkojnë personalisht te klientët e tyre për të lidhur kontrata.

Koncerni më i madh i turizmit në botë, TUI, i cili ka pësuar humbje të mëdha, kërkoi gjithashtu që në të ardhmen të ketë jo vetëm rekomandime sipas specifikës së vendeve, por sipas rajoneve. “Rëndësi ka, që njerëzit të kenë siguri për atë që planifikojnë,” tha një zëdhënës i TUI.
Edhe për trafikun ajror lehtësimi i masave është vetëm një hap në drejtimin e duhur. Shoqata Federale e Industrisë Gjermane të Aviacionit (BDL), e cila përfaqëson Lufthansën, i rekomandoi qeverisë ta zëvendësojë ashpërsimin e rregullit të karantinës të planifikuar nga qeveritë e landeve dhe federata pas tetorit, me një strategji të diferencuar të testimeve.

Drejtori administrativ i BDL Matthias von Randow paralajmëroi se nëse do të zbatohej projekti, që të gjithë udhëtarët që kthehen nga zonat e rrezikuara nuk do të testohen më nga tetori, por do të duhej të hynin në karantinë, do të sillte një bllokim të ri të udhëtimeve ndërkombëtare.

Një paralajmërim për rrezikun nga udhëtimi nuk është ndalim, por synon të ketë një efekt të madh parandalues. Ai ka gjithashtu një anë pozitive për konsumatorët, sepse u mundëson pushuesve të anulojnë falas rezervimet e udhëtimeve. Paralajmërimi për rrezikun nga udhëtimi lëshohet pavarësisht nga klasifikimi i vendeve si zonë rreziku.

Më 17 mars, Ministri i Jashtëm Heiko Maas mori një masë të pashembullt për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të infeksioneve të koronës: Ministria e Jashtme dha paralajmërim nga udhëtimet turistike në të gjitha 200 vendet e botës.

Paralajmërim nga rreziku i udhëtimeve në Spanjë, disa pjesë të Francës dhe Kroacisë

Vetëm në qershor – menjëherë para fillimit të sezonit kryesor të pushimeve – vendet e Bashkimit Evropian, të zonës Shengen pa kontrolle kufitare, si dhe Britania e Madhe, Andorra, Monako, San Marino dhe Shteti i Vatikanit u përjashtuan. Sidoqoftë, aktualisht ekziston një paralajmërim udhëtimi brenda Evropës, për shembull për Spanjën, për pjesë të Francës dhe Kroacisë dhe kantonet zvicerane të Gjenevës dhe Waadt.

Industria e turizmit është një nga sektorët më të prekur nga pandemia e koronës. DRV i frikësohet një vale falimentimesh. Sipas një studimi të shoqatës nga gati 650 e agjencive të udhëtimit, më shumë se 60 përqind e shohin veten të kërcënuar direkt nga falimentimi. Tek operatorët turistikë është gati gjysma./DW