Task-Forca në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Durrës, Drejtorinë e Taksave Vendore, Inspektoratin e Ndërtimit dhe me mbështetjen e Policisë Shtetit, do të nisin aksionin për lirimin e hapësirave publike në plazhet e Durrësit, si dhe do të verifikojnë nëse janë në zbatim të VKM-së nr. 369 datë 18/05/2016, VKM-së nr. 171 datë 27/03/2019 “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.
Të gjitha subjektet duhet të pajisjen me kabina zhveshjeje, dushe, kulla vrojtimi, të respektojnë distancat midis çadrave etj.
Aksioni do të kryhet në zonën e plazhit të Durrësit më datë 9 korrik 2019.
Policia Bashkiake bën me dije se: Të gjithë subjektet që kanë në administrim plazhe private dhe që janë pa leje për zënien e hapësirës publike, janë të detyruar të paraqiten pranë Bashkisë Durrës brenda një afati 5-ditor nga dita e marrjes së njoftimit në subjeketet e tyre përkatëse, për të bërë regjistrimin e tyre për t’u pajisur me leje për plazh privat; si dhe për të paguar detyrimin e taksave dhe tarifave vendore pranë zyrës së Taksave Vendore.
Policia Bashkiake ka paralajmëruar se me mosparaqitjen brenda këtij afati do të vazhdojnë procedurën ligjore për sekuestrimin e shezlloneve, çadrave, mjeteve dhe sendeve duke bërë lirimin e hapësirave publike.
Theksohet se: Të gjithë subjektet të cilët kanë zënë hapësirë të përcaktuar si plazh publik, të bëjnë në mënyrë vullnetare lirimin e këtyre hapësirave publike.
Me këtë rast, Policia Bashkiake “kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, subjekteve që kanë në administrim plazhe private, shitësve ambulantë që ushtrojnë aktivitetet e tyre në gjithë plazhin e Durrësit që të lirojnë në mënyrë vullnetare hapësirat publike që janë të zëna në mënyrë të paligjshme brenda datës 09.07.2019, në të kundërt do procedohet konform ligjit, masa administrative gjobë, bllokim të çadrave dhe shazlloneve, mallrave dhe sendeve të ndryshme, deri ndjekje penale për shkelësit e ligjit, si dhe shpenzimet do t’iu faturohen subjekteve”.





