Në një konferencë të jashtëzakonshme në orët e vona të pasdites së sotme, kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën e protestuesve në Rrugën e Kombit.

Me një gjuhë të prerë, Rama tha se të aktet në Rrugën e Kombit ishin krime të rënda dhe si të tilla do të ndëshkohen me forcën e ligjit.

"Të nderuar bashkëqytetarë, sipas Kodit Penal zjarri i sotëm dhe dhuna barbare e ushtruar mbi pronën e përbashkët si dhe goditja e policisë janë krime të rënda. Ju siguroj se këto krime do të ndëshkohen me të gjithë rëndesën e forcës së ligjit. Kush e vuri atë zjarr dhe kush guxoi të ngrejë dorë mbi forcat e policisë duke kërcënuar rendin, nuk do ketë asnjë shans t’i shpëtojë forcës së ligjit.

As populli i krejt Shqipërisë, as i vet Kukësit nuk kanë asnjë lidhje me këtë shfaqje të ulët vandalizmi. Përgjigjen prej Kukësit dhe prej gjithë Shqipërisë, gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit që tërheqin zvarrë opozitën, do ta marrë ashtu siç e meritojnë Qershorin e ardhshëm, padiskutim edhe më shembollore se sa përgjigjia që morën Qershorin e shkuar, qoftë në Kukës e qoftë në mbarë Shqipërinë.

Ndërsa të pangushëllueshmit, kryetarit pa kokë të opozitës i cili doli pas zjarrit në mejdan me shpatën prej druri të aritmetikës së tij duke ngatërruar 200 milionë Dollarët që e vunë atë vet nën akuzë për grabitje të Rrugës së Kombit me një 200 milionë Dollarësh, që sipas tij rri fshehur në arkën e shtetit dhe u dashka shpenzuar për mirëmbajtjen pa pagesë të Rrugës së Kombit, s’kam ç’ti them. Aq s’di, aq bën!"