Ndërrmarrja e Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nisur punën për verifikimin e të gjitha depozitave të qytetarëve që kanë probleme me rrjedhjen e ujit. Duke qenë se ky shpërdorim i ujit ndikon edhe në humbjet totale të ujit në rrjet, në një kohë që sapo ka filluar sezoni turistik, Ujësjellësi ka menduar që të menaxhojë me eficencë të gjithë sasinë e ujit që mbërrin nga stacioni i pompave në Fushë Kuqe.

Një grup pune i Ujësjellësit verifikon depozitat në tarracat e shtëpive dhe pallateve, ato që kanë probleme me galixhanët apo dëmtime të tubave. Në rastet kur këto defekte mund të riparohen  nga grupi i punës, ato realizohen menjëherë, në rast të kundërt banorët njoftohen me shkrim se duhet të riparojnë defektin që kanë brenda 2-3 ditësh.

Inxhinieri i Ujësjellësit, Gerald Dautaj, shprehet se në lagjen e Durrësit ku ndodhet grupi i punës ka shumë humbje të ujit në rrjet dhe po punohet për të parandaluar humbje të tilla që vijnë nga depozitat e dëmtuara që nuk kanë galixhanë apo probleme të tjera.

Humbje të tilla të ujit bëjnë që shumë banorë të tjerë të Durrësit në zonat periferike të privohen nga furnizimi me ujë të pijshëm. Nga ana tjetër duke qenë se gjatë sezonit turistik rritet ndjeshëm kërkesa për ujë, ndërrmarrja e Ujësjellësit synon që me këtë masë të menaxhojë në maksimum sasinë ditore të ujit që mbërrin nga burimi i Fushë Kuqes në një distancë prej 45 kilometrash larg.

K.H.