Kanosi për motive të dobëta me mjet prerës një 55-vjeçar, e goditi fizikisht dhe i dëmtoi xhamin e automjetit, ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandaloi përshkallëzimin e konfliktit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin I. N., 39 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, në lagjen “Popullore”, Shijak, ka dëmtuar me mjet prerës (hanxhar) xhamin e automjetit të shtetasit D.Ç, 55 vjeç dhe më pas e ka goditur fizikisht, si dhe e ka kanosur me mjetin prerës hanxhar për ta vrarë.
Gjatë veprimeve procedurale, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan mjetet prerëse: një thikë dhe një hanxhar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





