Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Durrës mes 3 vëllezërve që mund të sillte pasoja për jetën. Vihen në pranga tre vëllezër, të cilët u konfliktuan me njëri-tjetrin. Policia gjen dhe sekuestron në banesën e njërit prej tyre dy pistoleta, katër karikatorë, një silenciator të pamontuar, një thikë dhe fishekë luftarakë.
Vihen në pranga tre vëllezërit Luan, Andrea dhe Ylli Përkeqi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se në Hamallaj, Durrës, po ndodhte një konflikt midis tre vëllezërve, shkuan menjëherë në adresën e dhënë, duke ndërhyrë dhe neutralizuar të dyja palët e konfliktit, konflikt ky që mund të kishte pasoja për jetën.
Nga veprimet e shpejta rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, njëri prej vëllezërve, shtetasi Andrea Përkeqi, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë) gomat e një automjeti tip furgon, dhe më pas është konfliktuar fizikisht me dy vëllezërit e tij, shtetasit Luan dhe Ylli Përkeqi, duke përdorur sende të forta dhe mjet prerës (thikë), ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar në dorë shtetasi Ylli Përkeqi, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 53-vjeçarit Andrea, Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri pistoleta, katër karikatorë për pistoletat, një silenciator të pamontuar dhe fishekë luftarakë. Gjithashtu, u sekuestrua dhe mjeti prerës (thikë) i përdorur gjatë konfliktit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë tre vëllezërit, shtetasit:
- Andrea Përkeqi, 53 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrim prone”;
- Luan Përkeqi, 49 vjeç, dhe Ylli Përkeqi, 43 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





