Një konflikt për motive të dobëta mund të kishte përfunduar në tragjedi në qytetin e Durrësit, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, situata u neutralizua pa pasoja për jetën e personave të përfshirë.
Ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen nr. 17, ku një 44-vjeçar nga Shkodra ka kanosur me sopatë dy persona, një burrë dhe një grua, banues në Durrës. Fatmirësisht, forcat e policisë Durrës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit.
Sipas Policisë, i arrestuari është shtetasi E. Dhampiraj, ndërsa viktimat e kanosjes janë shtetasit E. A. dhe E. S. Gjatë ndërhyrjes, është sekuestruar edhe mjeti prerës që ai kishte me vete, një sopatë.
Ndërkohë, një tjetër shtetas, B. K., është proceduar penalisht pasi kishte dijeni për konfliktin dhe nuk njoftoi Policinë.
Njoftim i plotë:
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e një konflikti ndërmjet disa shtetasve, që mund të sillte pasoja të rënda për jetën.
Kanosi në lokal, me sopatë, dy shtetas për motive të dobëta, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 44-vjeçari.
Sekuestrohet mjeti prerës (sopatë).
Menjëherë pas njoftimit se në lagjen nr. 17, Durrës, një shtetas po kanoste dy shtetas të tjerë me mjet prerës (sopatë), për shkak të një konflikti për motive të dobëta, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën dhe shkuan menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, shërbimet e Policisë parandaluan përshkallëzimin e konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda për jetën e personave të përfshirë, si dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. Dh., 44 vjeç, banues në Shkodër.
Shtetasi 44-vjeçar u kap në flagrancë, në lagjen nr. 16, teksa kanoste me sopatë shtetasin E. A., dhe shtetasen E. S., të dy banues në Durrës.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi B. K., i cili kishte djeni për konfliktin dhe nuk njoftoi Policinë .
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





