(Në foto, automatiku i sekuestruar)

Policia e Durrësit ka bërë të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale duke vënë në pranga një person i cili ka qëlluar në ajër në afërsi të banesës së një personi tjetër, me të cilin ishte konfliktuar më parë.

Në pranga ra Gentian Dodaj, 29 vjeç, banues në Durrës.

Ngjarja është shënuar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:45, në një lokal në lagjen Nr. 16/1, (Kënetë), ku 29-vjeçari është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin A.H. 46 vjeç, banues në Durrës.

Më pas ka shkuar në banesë të marrë armën e zjarrit automatik dhe ka qëlluar në ajër në afërsi të banesës së shtetasit A.H.

Policia është njoftuar nga banorët e zonës dhe me të marrë njoftimin, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Efektivët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbledhjen e provave materiale dhe pyetjen e dëshmitarëve.

Nga kryerja e veprimeve intensive hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar.

Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri tip automatik model 56; një krehër me 19 fishekë si edhe 1 gëzhojë.

Sipas informacioneve nga policia, mësohet se Dodaj është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës.