Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në fshatin Adriatik në Kurbin, ku një 67-vjeçar është arrestuar dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj një 21-vjeçareje.
Sipas policisë, Shkurt Shkurti 67 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, kërcënoi me çifte shtetasin GJ.P. dhe familjarët e tij. Uniformat blu mbërritën menjëherë në vendngjarje sapo morën njoftimin, duke arrestuar të moshuarin dhe sekuestruan armën e gjahut që autori e kishte me leje.
Ndërkohë që një pjesë e shërbimeve të policisë po kontrollonin brenda në banesë, shtetasja L. Shkurti 21 vjeçe, ka dalë me një armë zjarri automatik nga pjesa e oborrit të banesës dhe e ka hedhur këtë armë zjarri në oborrin e banesës së pabanuar të fqinjit duke tentuar ta fshehë, por u konstatua nga efektivët e policisë.
Arma u gjet nga policia dhe vajza akuzohet për pengim të së vërtetës. Automatiku ishte i mbushur me 30 fishekë, i cili u sekuestrua së bashku me armën e gjahut që ishte me leje.





