Policia e Durrësit ka parandaluar një ngjarje të rëndë brenda familjes, ku vëllai ka tentuar të vrasë me thikë vëllanë më të vogë 22-vjeçar, duke e lënë të plagosur. 

Ngjarja ka ndodhur dje pasdite rreth orës 17:30 në familjen Begeja në Durrës që banon në lagjen nr. 16, ku ka mbetur i plagosur në shpatull djali më i vogël, ndërsa policia ka arrestuar në kohë rekord autorin, Emiliano Begeja 25 vjeç.

Policia thotë se mes dy vëllezërve ka lindur një konflikt familjar për motive të dobëta.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në sajë të ndërhyrjes dhe veprimeve të shpejta kanë parandaluar përshkallëzimin e pasojave të rënda, si rezultat i një konflikti familjar midis dy vëllezërve.

Begeja, më datë 19.02.2017, është konfliktuar për motive të dobëta me vëllanë e tij, shtetasin A.B. 22 vjeç, banues në Durrës, duke e plagosur me mjet prerës, thikë në shpatull.

Për pasojë, i dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

“DurrësLajm” mëson nga burimet policore se shkak i sherrit mes dy vëllezërve ka qenë motra e tyre. I plagosuri i ka bërtitur motrës e këtu ka ndërhyrë vëllai më i madh. Debati mes tyre ka precipituar më pas deri në përdorimin e armëve të ftohta. Në sherr e sipër, 25-vjeçari ka rrëmbyer një thikë e me të ka qëlluar vëllanë e vogël. 

Aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vëllai i tij do të përballet me drejtësinë nën akuzën e 2 veprave penale: “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Dhunë në familje”.