Prej disa ditësh, moti është i kthjellët por e diela do të sjellë reshje shiu në të gjithë territorin e vendit. Duke nisur nga java e ardhshme, do të ketë ulje temperaturash dhe prani reshjesh, edhe pse jo në sasi të mëdha.

Sa i takon temperaturave ato pritet që të kenë një rënie të ndjeshme, veçanërisht në orët e para të mëngjesit.

Sinoptikania Adiola Bani tha se që prej ditës së sotme do të kemi mbizotërim të motit të kthjellët deri në mesditë, pasdite do të ketë prezencë më të madhe të vranësirave. Do ketë reshje shiu gjatë ditës së nesërme thuajse në të gjithë territorin shqiptar, herë pas here do të ketë intervale me kthjellime.

Dita e diel do të jetë e freskët, me vlera nga 3 deri në 21 gradë celsius, duke u kthyer në temperatura normale të muajit. Sa i takon reshjeve, më pak e prekur do të jetë zona lindore e Shqipërisë, zona perëndimore do të ketë pak më shumë, që do të jetë prezente edhe gjatë ditës së hënë.

Temperaturat më të ulëta do të shënohen në Kukës, Has, Tropojë, Korçë dhe Pogradec, ku temperaturat në mëngjes do të jenë 3 gradë celsius.

Sa i takon temperaturave, edhe javë që vjen do të ketë vlera tipike të muajit Nëntor, duke zbritur me 2-3 gradë. Nëntori ka qenë i thatë sa i takon reshjeve, deri tani kemi pasur mungesë të tyre, edhe java e ardhshme pritet të mos sjellë sasi të mëdha reshjesh por do të ketë intervale të shkurtra reshje shiu.