TIRANË, 16 shtator 2013 – Dita e parë e javës, që përkoi dhe me ditën e parë të vitit të ri shkollor në arsimin parauniversitar, nisi me reshje të vrullshme shiu, tipike për vjeshtën. Por në ditët në vazhdim mendohet të jenë me një mot të paqëndrueshëm, kurse në fund të javës mund të stabilizohet. Departamenti i klimës dhe mjedisit i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Universitetit publik Politeknik të Tiranës jep parashikimin e mëposhtëm të motit në territorin e vendit deri më 22 shtator.

Situata sinoptike (figura nr. 1)

Në figurën nr. 1 paraqitet situata sinoptike e parashikuar për datën 17 shtator në orën 00. Vihet re se rajoni i Ballkanit do të ndikohet nga një fushë me presion atmosferik të lartë.

17 shtator 2013 (figura nr. 2)

Fillimisht do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të përkohshme, ndërsa në pjesën e dytë të ditës pritet shtim i vranësirës që do të shoqërohet me shira lokalë. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 15 km/orë, nga jugperëndimi. Temperaturat e skajshme pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 10, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 18 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 14, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 22 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 16, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 24 gradë celsius.

18 shtator 2013 (figura nr. 3)

Fillimisht do të mbizotërojë mot i vranët me shira të përkohshme, ndërsa në pjesën e dytë të ditës pritet një përmirësim i kushteve të motit. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 15 km/orë, nga veriperëndimi. Temperaturat e skajshme pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 10, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 18 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 14, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 23 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 16, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 24 gradë celsius.

19-22 shtator 2013 (figura nr. 4)

Situata sinoptike e parashikuar për datën 20 shtator në mesditë tregon për ndikimin e periferisë së një fushe me presion atmosferik të lartë mbi rajonin e Ballkanit. Rrjedhimisht, pritet që në përgjithësi gjatë kësaj periudhe të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta. Temperaturat maksimale, me një rritje graduale, do të luhaten: në vendet malore nga 20-25 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 25-28 gradë. Temperaturat minimale, do të luhaten: në vendet malore nga 8-12, ndërsa në zonën e ulët dhe bregdet nga 15 deri në 17 gradë. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri mesatare, në përgjithësi nga kuadranti i perëndimit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/